Edhe pse në dijeni të plotë për arrestimet e padrejta dhe represionin e organeve të reja të drejtësisë, sot kryeministri Edi Rama ka ngritur shqetësimin për nivelin e lartë të paraburgimit në Shqipëri. Gjatë prezantimit të ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale, ai tha se përdorimi i masës “arrest në burg” ka arritur nivele ulëritëse, që janë kilometra larg me standardet europiane.
Rama iu referua të dhënave të Këshillit të Europës, sipas të cilave, më 31 janar 2025, 62% e personave në burgjet shqiptare ishin të paraburgosur, pra pa një vendim përfundimtar dënimi.
“Mesatarja europiane ishte 26%. Shqipëria ishte më shumë se dy herë më keq krahasuar me mbarë Europën”, deklaroi Rama.
Sipas të dhënave të cituara prej tij, diferenca është e madhe edhe me vendet e rajonit. Serbia rezulton me rreth 21.5% të popullsisë së burgjeve në paraburgim, ndërsa Maqedonia e Veriut me 14.3%.
Kryeministri bëri edhe një krahasim me Rusinë, duke deklaruar se atje rreth 30% e popullsisë së burgjeve ndodhet në paraburgim. Të dhënat më të fundit të World Prison Brief japin për Rusinë një nivel prej 30.1% në maj 2026, kundrejt 62% të regjistruar në Shqipëri nga Këshilli i Europës në janar 2025.
“Atje, në atdheun e represionit, ku paraburgimi vendoset rëndom me një telefonatë, të paraburgosurit janë 30% e popullsisë së burgjeve. Pra, as sa gjysma e Shqipërisë që negocion anëtarësimin në Bashkimin Europian”, tha Rama.
Por shifrat më të forta të paraqitura nga kryeministri lidhen me kohëzgjatjen e paraburgimit.
Sipas tij, në juridiksionin e përgjithshëm një person qëndron mesatarisht 253 ditë në paraburgim, ose më shumë se tetë muaj. Ndërsa për çështjet e gjykatave të posaçme, ku përfshihet GJKKO, mesatarja shkon në mbi 616 ditë, pra më shumë se një vit e tetë muaj. Shifra prej 616 ditësh ishte referuar më herët publikisht edhe në diskutimet parlamentare mbi masat e sigurimit personal.
Rama e cilësoi këtë kohëzgjatje si një shifër “të paimagjinueshme për Europën”, duke argumentuar se paraburgimi, që duhet të përdoret si masë e fundit, është kthyer në një element qendror të procesit penal shqiptar.
Sipas tij, ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale duhet të synojnë kufizimin e përdorimit të “arrestit në burg” dhe shtimin e masave alternative, duke ruajtur njëkohësisht funksionimin e hetimit dhe të procesit penal.
Edhe Këshilli i Europës ka ngritur në mënyrë të përsëritur shqetësimin për përdorimin disproporcional të paraburgimit në Shqipëri dhe ka kërkuar përdorim më të gjerë të masave alternative.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016