Shifrat pas sherrit të pagave/ Formula ‘me bonuse’ që rrit rrogat e magjistratëve

14 September 2026, 15:39Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Shifrat pas sherrit të pagave/ Formula ‘me bonuse’ që rrit
Admir Kadeli dhe Aulona Bylykbashi

Komisionet e Kuvendit kanë nisur diskutimet për ndryshimin e ligjit që përcakton pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, pas vendimit të shkurtit të këtij viti të Gjykatës Kushtetuese, që shfuqizoi metodën e miratuar në vitin 2023.

Por, si lindi konflikti mes qeverisë dhe drejtësisë për nivelin e tyre?

Deri para vitit 2023, paga referuese për gjyqtarët dhe prokurorët ishte e barabartë me atë të drejtorëve të departamenteve në Kryeministri.

Paga referuese shtohej me 90 për qind për gjyqtarët dhe prokurorët e shkallës së parë, 98 për qind për ata të apelit dhe 106 për qind për magjistratët e SPAK dhe prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme.

Si shembull, sipas kësaj formule, nëse një shef departamenti në Kryeministri paguhej 100 mijë lekë, po kaq ishte edhe paga e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kësaj page i shtoheshin më pas edhe 90 mijë lekë për magjistratët e shkallës së parë, 98 mijë lekë për ata të apelit dhe 106 mijë lekë për magjistratët e SPAK dhe të Prokurorisë së Përgjithshme.

Në 2023, reforma e pagave në administratë preku edhe pagën e shefave të departamenteve në qeveri. Rroga e tyre shkoi në 220 mijë lekë të vjetra. Nëse ky nivel do të mbetej referencë për pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, për shkak të formulës së mësipërme të ardhurat e magjistratëve do të rriteshin më shumë se katërfish.

Por, Kuvendi ndërhyu duke ndryshuar referencën. Në 2023, ligji vendosi që pagat referuese për magjistratët të ishte 36 për qind e pagës së Presidentit. Paga aktuale e Presidentit është 425 mijë lekë, që do të thotë se paga referuese për gjyqtarët dhe prokurorët është dikut te 153 mijë lekë. Kësaj shifre i bashkohet shtesa prej 90 deri në 106 për qind sipas kategorive të magjistratëve, që do të thotë se pagat e tyre shkojnë nga 250 mijë deri në 310 mijë lekë.

Rritjes shtohet me 2 për qind për çdo vit pune, por jo më shumë se 25 vite dhe indeksimi sipas nivelit të inflacionit vjetor të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë. Megjithatë, kjo formulë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese dhe PS ka depozituar ndryshimet përmes deputetëve Aulona Bylykbashi dhe Admir Kadeli.

Dy deputëtët propozojnë pagën referuese 38 për qind të pagës së Presidentit, ose rreth 161 mijë lekë, teksa nuk prekin nivelet e shtesës sipas magjistratëve në tre shkallët e gjyqësorit, por rrisin nga 60 në 80 për qind pagesat për vështirësi në punë për gjyqtarët dhe prokurorët e SPAK.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016


Video