Rama i "heq shikimin" Belinda Ballukut, por jo SPAK-u

14 September 2026, 12:26Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rama i "heq shikimin" Belinda Ballukut, por jo SPAK-u
Edi Rama dhe Belinda Balluku

Kryeministri Edi Rama duket se ka ndryshuar dukshëm tonin ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku, duke vendosur publikisht distancë mes tij dhe betejës së saj me drejtësinë.

Në deklaratën e tij të fundit, gjatë podcastit “Flasim”, Rama e ndau qartë debatin që ai ka bërë për raportin mes SPAK-ut dhe pushtetit ekzekutiv nga përgjegjësia personale e Ballukut për çështjen penale.

Mesazhi këtë herë i Ramës ishte i ndryshëm nga ai i Marsit 2026. Burime në kryeministri thonë për Vox News se Rama tashmë i ka "hequr shikimin" Belinda Ballukut, një term ky i përdorur nga njerëzit e Kryeministrit për ata që largon nga mburoja e vetë.

Ky është ndoshta distancimi më i qartë publik i Ramës nga ish-numri dy i qeverisë që prej nisjes së përplasjes së Ballukut me SPAK-un.

Ndryshimi vjen ndërkohë që hetimi ndaj saj është zgjeruar. Sipas raportimeve të fundit, SPAK ka ngritur dyshime edhe për pasuri të tjera të pajustifikuara dhe çështja ka rikthyer diskutimin nëse Prokuroria e Posaçme mund t’i drejtohet sërish Kuvendit për një masë sigurie ndaj deputetes.

Ish-zëvendëskryeministrja është e pandehur në procedimin penal nr. 136/2025 dhe hetimi përfshin “shkeljen e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim, në tetë raste. Bëhet fjalë për tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe shtatë procedura të lidhura me Unazën e Jashtme të Tiranës.

Por dosja nuk kufizohet më vetëm te tenderat. SPAK ka bërë të ditur se ndaj Ballukut ka gjithashtu dyshime për korrupsion pasiv, fshehje ose deklarim të rremë të pasurisë dhe pastrim të produkteve të veprës penale, ky i fundit i dyshuar në bashkëpunim dhe më shumë se një herë.

Megjithatë standarti i SPAK në rastin Balluku lë shumë për të dëshiruar. Më herët, SPAK ka dhënë masa sigurie në mënyrë të rrufeshme për drejtues institucionesh, biznesmenë dhe gazetarë, madje pa i marrë qoftë dhe në pyetje, në rastin e Ballukut ka ngecur.

Mbetet për tu parë në vijim nëse SPAK do t'i shkelë syrin Ballukut, apo do t'i heq shikimin dhe të dërgojë kërkesën për heqjen e imunitetit në parlament.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016


Video