Kërcënime me bomba në mbi 25 fluturime në 7 vende të Europës, dyshimet drejtohen nga Rusia

6 November 2026, 09:08Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Kërcënime me bomba në mbi 25 fluturime në 7 vende të

Një valë masive kërcënimesh pothuajse të njëkohshme me bomba ka shkaktuar kaos në disa aeroporte evropiane, duke prekur më shumë se 25 fluturime në shtatë vende, nga Bullgaria deri në Skoci.

Incidentet kanë detyruar devijimin e avionëve, aktivizimin e procedurave të emergjencës dhe ngritjen e avionëve luftarakë, duke rikthyer shqetësimet për përshkallëzimin e luftës hibride në Evropë.

Sipas raportimeve, të paktën 15 avionë pasagjerësh u përballën me kërcënime gjatë së enjtes, por në kontrollet e kryera nuk u gjet asnjë eksploziv. Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, e cilësoi këtë situatë si një strategji për të krijuar kaos dhe frikë në shoqëritë evropiane, duke paralajmëruar se kërcënime të tilla tregojnë se sa lehtë mund të paralizohen aktivitetet normale të vendeve të kontinentit.

Dyshimet kryesore për autorët e këtyre incidenteve drejtohen nga Rusia, për shkak të historikut të operacioneve të dyshuara hibride kundër vendeve evropiane. Sipas BBC-së, disa prej kërcënimeve janë nënshkruar me emrin e organizatës ekstremiste ruse “Luftëtarët e Shtetit Mashkullor”.

Një email kërcënues i dërguar në Bullgari paralajmëronte për një shpërthim brenda 60 minutash, ndërsa mesazhe të ngjashme u morën edhe nga dy fluturime drejt Romës, nga Helsinki dhe Dublini.

Autoritetet po hetojnë nëse bëhet fjalë për një fushatë të koordinuar që synon destabilizimin e infrastrukturës kritike evropiane. Për analistët, këto incidente përfaqësojnë një formë të luftës hibride, ku përmes mjeteve me kosto të ulët synohet të krijohen panik, pasiguri dhe çorganizim në vendet evropiane, pa qenë e nevojshme të kryhen sulme fizike.

Megjithëse deri tani të gjitha kërcënimet rezultojnë të rreme, shkalla e tyre ka ngritur alarmin për sigurinë e aviacionit dhe stabilitetin e Evropës.


Video