Vijon lufta/ Drejtoria e Tatimeve bllokon Birrën Tirana, ka 1.5 mln euro detyrime pa paguar

9 August 2022, 16:05Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vijon lufta/ Drejtoria e Tatimeve bllokon Birrën Tirana, ka 1.5 mln euro
Foto ilustruese

Drejtoria e Tatimeve ka bllokuar llogaritë dhe pasuritë e Birra Tiranas për shkak se kjo e fundit ka detyrime të prapambetura në vlerën e 1.5 milionë eurove.

Në dokumentacionin e siguruar nga Voxnews.al zbulohet se detyrimet e Birra Tiranas, që kanë të bëjnë me Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, Tatim-Fitimin, Tatimin e Mbajtur në Burim dhe kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore të punonjësve nuk janë paguar të paktën që nga viti 2019.

Detyrimet e këtij viti duhej të ishin shlyer brenda tre muajve të parë të 2020. Në gusht të 2020-s, me shkresën numër 6360, Drejtoria e Tatimeve njofton kompaninë e prodhimit të birrës në lidhje me detyrimet e prapambetura dhe detyrimet shtesë që buronin sipas legjislacionit në fuqi për vonesat në shlyerjen e tyre.

Birra Tirana, që zotërohet nga Irfan Hysenbelliu nuk ka reaguar as përgjatë 2021. Në shkurt të këtij viti, Tatimet dërgojnë paralajmërimin e dytë bashkë me shumën e re që ishte akumuluar prej gjobave dhe interesave të kamatëvonesave.

Detyrimet ishin rreth 80 mln lek TVSh e paderdhur, një gjobë prej 23 mln lekësh për tejkalimin e afateve në pagesën e TVSh dhe fshehje të ardhurash, 9.4 mln lek janë detyrimet që burojnë nga tatim-fitimi dhe një gjobë prej 3.1 mln lekësh, 4 mln lek tatimi në burim dhe rreth 27 mln lek detyrimet për sigurimet shoqërore e shëndetësore të punonjësve, bashkë me gjobën përkatëse për vonesat.

Në total, detyrimet e Birra Tiranas, sipas shkresave që disponon Voxnews.al shkojnë në rreth 172.5 mln lek, ose rreth 1.5 milion euro. Për arkëtimin e tyre, Drejtoria e Tatimeve ka vendosur masën e bllokimit të llogarive dhe pasurive të tjera në emër të kompanisë Birra Tiranë në 9 maj të këtij viti.

Pak javë pas këtij vendimi, mediat e zotëruara nga Irfan Hysenbelliu publikuan një sërë artikujsh e kronikash me në qendër Drejtorinë e Tatimeve dhe kreun e këtij institucioni, Ceno Klosi.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.



Video