Mesazhi për Ramën zbulon korrupsionin me tenderat e rrugëve të Sadri Abazit

2 August 2022, 19:05Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Mesazhi për Ramën zbulon korrupsionin me tenderat e rrugëve
Ish-deputeti i PS, Sadri Abazi

Autoriteti Rrugor Shqiptar i dha në qershor rreth 12 mln euro Sadri Abazit dhe nipin e tij, Arbër Abazi që janë shpallur fitues në një tender pa garë të mbajtur në muajin prill. Kompanitë “ALKO-IMPEX General Construcion”sh.p.k dhe “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” sh.p.k kanë fituar lotin 2 të tenderit për mirëmbajtjen katërvjeçare të rrugëve në rajonin verilindor dhe qendror.

Në të dy tenderat, siç denoncoi Voxnews.al në atë kohë, nuk pati garë pasi ARRSH skualifikoi të gjitha kompanitë e tjera me arsyetimin se nuk plotësonin kriteret.

Por, kjo nuk është hera e parë që kompanitë e Sadri Abazit akuzohen si të favorizuara nga ARRSH. Në një email që i është dërguar Kryeministrit Edi Rama në 2020, e që tashmë është zbuluar nga hakerat e “Homeland Justice” denoncohet se Sadri Abazi fiton tenderat nga ARRSH, edhe pse jep ofertën më të lartë.

“Është e çuditshme se si te gjithë operatoret e tjerë ekonomik me zor janë kualifikuar dhe kanë fituar një kontrate, ndërsa “Alko Impex General Construction & Alko Impex Construction shpk” ka fituar në shumëfishin e gjithë shoqërive të tjera, megjithëse ka patur ofertën me shtrenjtë financiare dhe abuzimi i ARRSH qëndron në faktin se në kriterin (i) Çmimi më i ulët vendos pikët me diferenca të vogla midis shoqërive pjesëmarrëse, kurse në dy kriteret e tjera te vlerësimit (ii) Përvoja në punë e kompanisë dhe (iii) Cilësia vendos pikët maksimale për Alko Impex General Construction dhe pikët minimale për ofertuesit e tjerë , duke i sjellë dëm ekonomik shtetit prej qindra milion lekë”, thuhet në mesazh.

Qytetari denoncon se edhe me abuziv është fakti që këto procedura prokurimi janë parashikuar për te lidhur kontrata 4-vjecare dhe shoqëritë që s’kualifikohen në ketë moment, mbas 4 vjetësh nuk mund të marrin pjese në asnjë procedurë me objekt mirëmbajtje rrugore, pasi kriteri i vendosur ne ligjin nr.9643 “Për Prokurimit Publik” është eksperienca e ngjashme vetëm 3 vitet e fundit.

Dy procedurat e fundit në të cilat Sadri Abazi përfitoi 12 mln euro për mirëmbajtje rrugësh është klasifikuar me flamur të kuq nga “Open Data Albania” nën dyshimet se fituesi ka qenë i paracaktuar. Konkurruesit e vetëm në këtë tender ka qenë bashkimi i dy kompanive.

Kompania e parë, “ALKO-IMPEX General Construcion”sh.p.k është e regjistruar në Shqipëri si degë e një kompanie kosovare me zotëruar një shtetas të Kosovës, por që dyshohet se pas tyre qëndron ish-deputeti socialist, Sadri Abazi.

Kompania e dytë, “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” sh.p.k është në pronësi direkte të nipit të Sadri Abazit, Arbër Abazi.

Lidhja e ngushtë mes këtyre dy kompanive përforcohet nga fakti që në 4 vitet e fundit bashkimi i tyre në tendera dhe procedura koncesioni është shpallur fitues në gjashtë raste, duke llogaritur këtu edhe rastin e fundit të tenderit të mirëmbajtjes së rrugëve të 11 prillit të ARRSh-së me vlerë 1.4 mld lek.

Në total, shuma e përfituar nga dy kompanitë shkon në 2.3 miliard lek, ose rreth 20 milionë euro, para që kanë shkuar nën xhepat e ish-deputeti Sadri Abazi dhe nipit të tij, Arbër Abazi. Loti 2 i Autoriteti Rrugor Shqiptar është pjesë e një tenderi të ndarë në katër lote me shumën totale rreth 41 mln euro për mirëmbajtjen e akseve rrugore kryesore të vendit për katër vitet e ardhshme.

Por abuzimet me tenderat ARRSH-së shkojnë aq trashë, sa në një rast në vjeshtë të 2020-s dy kompanitë e Sadri Abazit janë futur në garë si rivale me njëra-tjetrën dhe në fund janë shpallur fituese si bashkim kompanish.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video