‘Valbona po thahet’, banorët e luginës akuzojnë kompaninë e Bashkim Ulajt se po zhduket trofta dhe uji (Video)

28 August 2022, 10:51Investigim SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
‘Valbona po thahet’, banorët e luginës akuzojnë
Biznesmeni Bashkim Ulaj pronari i kompanise Gener 2

Një denoncim nga një qytetar i luginës së Valbonës, ka ardhur në redaksinë e VoxNews ku ka ngritur shqetësimin për lumin i cili po thahet dhe po zhduket trofta, e cila është karakteristikë e kësaj zone.

Banori i luginës së Valbonës ka dërguar dhe disa pamje ku shihet lumi i cili ka pak ujë, dhe akuzon ndërtuesit e Hidrocentralit (Gener 2) të Bashkim Ulaj se nuk ka zbatuar marrëveshjen, e cila me 14 gusht duhet të ndalonte prodhimin e energjisë.

Sikoni pamjet e dërguara nga banori i luginës së Valbonës:


Një studim i kryer nga organizata WWF (World Wildlife Fund) paraqet të dhëna rreth ndikimit mjedisor dhe komunitar të tre hidrocentraleve në lumin e Valbonës, Tropojë.

Studimi u krye përgjatë një periudhe tre-mujore ku morën pjesë 81 qytetarë, gjysma e të cilëve jetojnë pranë zonave ku po zhvillohen hidrocentralet.

Aktivitetet e ndërtimit të hidrocentraleve perceptohet se kanë ndikim të madh si në mjedis ashtu edhe në komunitet, duke zhvlerësuar cilësinë e jetës, ulur përdorimin e ujit dhe shkatërruar biodiversitetin.

Pjesëmarrësit në këtë studim, që u angazhuan në protesta kundër hidrocentraleve, pohojnë se janë ndeshur me armiqësi nga kompania ndërtuese “Gener 2” dhe qeverisja lokale, që i kanë kërcënuar e madje dhunuar banorët e zonës.

Kujtojmë se me 21 korrik Gjykata e Lartë ka vendosur të pezullojë ndërtimin e HEC-eve mbi Valbonë nga kompania GENER 2, deri kur të merret një vendim i formës së prerë për këtë çështje të rëndësishme.

Gjykata e Lartë ka pranuar kërkesën e banorëve të 27 fshatrave të Bashkisë Tropojë, Shoqatës “TOKA” dhe Shoqatës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Alpeve Shqiptare, duke ndaluar çdo veprim mbi Valbonë.

Banorët dhe shoqatat kundërshtojnë projektin e ndërtimit të 2 hidrocentraleve Dragobia dhe Cerem në Parkun Kombëtar të Luginës së Valbonës nga kompanitë  “GENER 2” dhe “DRAGOBIA ENERGY” të Bashkim Ulajt.

Palë në këtë proces janë edhe Ministria e Energjisë dhe Industrisë, Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Ministria e Mjedisit, Këshilli Kombëtar i Territorit dhe Agjencia e Zhvillimit të Territorit, institucione të cilat në kohë të ndryshme kanë marrë pjesë në dhënien e lejes për ndërtimin e HEC-ve mbi Valbonë.

Beteja kundër betonizimit të Valbonës ka nisur që në vitin 2015. Banorët e 27 fshatrave të Tropojës kanë denoncuar falsifikimin e procesverbaleve të konsultimit me publikun, që ishin pjesë e dokumentacionit të kompanive që morën të drejta për HEC në Valbonë. Kompanitë kanë paraqitur dokumentacion sikur banorët ishin dakord për ndërtimin e HEC-eve.

Parku Kombëtar i Luginës së Valbonës, është një nga pikat më të bukura natyrore të veriut të Shqipërisë dhe një atraksion turistik, që çdo vit i sjell të ardhura banorëve të zonës përmes vizitorëve dhe turistëve. 

Ai gëzon mbrojtje të veçantë nga ligji, ku ndalohen veprimtaritë ndërtimore që mund të dëmtojnë biodiversitetin, por qeveria shqiptare gjatë dekadës së fundit vendosi aty ndërtimin e disa  HEC-eve. Përplasje të ngjashme mes banorëve dhe kompanive të ndërtimit të HEC e qeverisë vijojnë prej vitesh në të gjithë vendin. 

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 

 


Video