Ilir Meta kërkon zhbërjen e marrëveshjes Berisha-Rama

10 Nëntor 2026, 21:32Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Ilir Meta kërkon zhbërjen e marrëveshjes Berisha-Rama

Ilir Meta ka bërë një koment në rrjetet sociale ku thotë se për të rivendosur demokracinë në Shqipëri duhen ndryshime të thella.

Ai kërkon zhbërjen e marrëveshjes Berisha-Rama të vitit 2008.

“Rikthimi i Kushtetutës së para ndryshimeve të vitit 2008, për të rivendosur ndarjen e pushteteve, sistemin e kontrollit dhe balancës ndërmjet tyre, si garanci për funksionimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë.

Hapja 100% e listave për zgjedhjen e deputetëve dhe këshilltarëve bashkiakë, në mënyrë që mandatin ta marrin drejtpërdrejt nga qytetarët dhe jo nga kryetarët e partive.

Rikthimi i balotazhit për zgjedhjen e kryetarëve të bashkive, në mënyrë që fituesi të ketë mbështetjen e shumicës së qytetarëve.

Vetëm kështu sovraniteti i rikthehet popullit dhe garantohet e drejta që krahas kandidatëve të partive politike edhe qytetarë me kontribute, integritet dhe mbështetje publike të mund të garojnë e të zgjidhen si kandidatë të pavarur.

Mjaft më me deputetë të kryetarëve dhe partitokracisë! Shqiptarët meritojnë të  zgjedhin të lirë dhe që zëri i tyre të dëgjohet fort! Vetëm kështu Shqipëria çlirohet nga kapja e shtetit dhe socialistët e ndershëm shpëtojnë nga kthetrat e "Rilindjes".

Vetëm kështu Shqipëria mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian. Vetëm kështu sovraniteti i rikthehet popullit shqiptar” – shkruan Meta.


Video