“Kosova shtet i pavarur, serbët ta shohin si fakt jete”, Rama nga Parisi: Jemi duke punuar për shtetin bektashi

10 Nëntor 2026, 19:00Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Kosova shtet i pavarur, serbët ta shohin si fakt jete”, Rama
Edi Rama

Kryeministri Edi Rama, gjatë një bashkëbisedimi në pjesëmarrjen e tij në Forumin e Paqes në Paris sot më 10 nëntor, deklaroi se integrimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian, i jep mundësinë vendit tonë që të ndërtojë shtetin e së drejtës.

I pyetur edhe në lidhje me Ukrainën, Rama vlerësoi shtetin ukrainas, duke u shprehur se Kievi po zhvillon një betejë për veten dhe kontinentin europian.

Kreu i qeverisë theksoi se BE është shprehur se janë kaëtr vende paranojë në integrim dhe se nuk ka hapa përpara, pa përmbushje të reformave.

“Nuk ka anëtarësim të përshpejtuar, pa përmbushur reformat. Ukraina është një vend që po lufton për veten dhe për Europën dhe duhet t’i njihen të gjitha meritat. Në paketën e re të zgjerimit, ka qartësi se cilat janë vendet pararojë në integrimin në Bashkimin Europian, ku është dhe Shqipëria.

Anëtarësimi në BE është gjëja më e mirë që mund t’u ndodhë shteteve tona. Ne jemi vend që vijmë nga një e shkuar shumë e errët, jemi me një traditë tepër të dobët të funksionimit të institucioneve. BE na jep mundësinë të ndërtojmë shtetin tonë të së drejtës. Procesi i integrimit me meritë në BE duhet të vazhdojë”, tha Rama.

I pyetur nëse shteti bektashi do të përmbushet si projekt, kryeministri u shpreh se projekti në fjalë do vijojë, paralel me integrimin e vendit në familjen europiane.  

“Jemi duke punuar për shtetin bektashi dhe do të shohim se ku do të arrijmë”, u shpreh shkurt Rama.

I pyetur edhe për marrëdhëniet e fqinjësisë, Rama deklaroi se Shqipëria ka luajtur dhe po luan një rol të rëndësishëm në paqen rajonale.

Po ashtu, ceku edhe Kosovën, duke nënvizuar se është një shtet i pavarur dhe një realitet, që nuk mund të zhbëhet.

“Shqipëria ka qenë dhe mbetet vend paqësor në Europë. Kushërinjtë dhe fqinjët nuk zgjidhen. Fqinjët janë aty ku janë, kështu që më mirë është të shkosh mirë me fqinjët, sepse në të kundërt, gjen belanë. Jemi përpjekur të bëjmë gjithçka është e mundur, me njëfarë shkalle suksesi.

Sa i takon çështjes së Kosovës, mbetet një pikëpyetje, sepse vazhdon që të ketë probleme nga ana e Serbisë, por Kosova është vend i pavarur dhe ky realitet nuk ndalet. Serbët sa më shumë ta shohin si fakt jete, aq më mirë për ta”, vlerësoi Rama.

Në fund, foli edhe për skepticizmin që është ngjallur vetë në Europë për projektin e Bashkimit Europian.

“Është e sigurt, që Shqipëria do të jetë mirë me integrimin në BE, por atë që nuk dimë me siguri është sesi do të jetë vetë Bashkimi Europian pas shumë kohësh.

Unë jam i sigurt që Shqipëria në BE do të thotë se vendi ynë është mirë, por a do të jetë BE mirë? Ajo që po ndodh është një sfidë, që Europa duhet që ta përballojë e të dale fituese”, përmbylli Rama.


Video