Edi Rama: Sot ne jemi talebanët e Perëndimit, por dikur kemi qenë Koreja e Veriut e Evropës

10 Nëntor 2026, 19:01Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Edi Rama: Sot ne jemi talebanët e Perëndimit, por dikur kemi qenë

Nga “Forumi i Paqes” në Paris, kryeministri Edi Rama u shpreh besimplotë se 2027-ta pritet të jetë viti kur Shqipëria do të nisë punën për hartimin e traktatit të anëtarësimit në BE.

“E dini shumë më mirë se nuk premton dot asgjë për Europën. Unë kurrë nuk premtoj dot për gjëra që s’varen prej meje. Ajo që është e qartë, bazuar në progresraportin, Komisioni Europian është shprehur se 2027 është viti kur duhet të punojmë me Traktatin e Anëtarësimit dhe nëse çdo gjë shkon mirë, do t'i përmbyllim negociatat në fund të vitit të ardhshëm”, deklaroi kryeministri.

Pavarësisht konflikteve të brendshme apo protestave, Rama theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet objektivi i përbashkët i vendit. Gjatë bashkëbisedimit u shpreh më tej se qëndrimi i shqiptarëve ndaj Europës lidhet ngushtë me historinë e veçantë të Shqipërisë dhe përvojën e saj nën regjimin komunist.

“Ne nuk kemi qenë pjesë e ish-Jugosllavisë. Ne nuk ishim pjesë e ish bllokut lindor si të tjerë. Ne u ndamë me bllokun lindor që në vitet ‘60. Pastaj u hodhëm në një marrëdhënie shumë të veçantë e unike me Kinën e Maos dhe kemi qenë gjatë gjithë kohës Koreja e Veriut e Europës.

Dhe pastaj kur dolëm nga ky ferr dolëm të transformuar tërësisht në talebanë perëndimor në një kuptim, domethënë në fanatikë të Perëndimit për arsye të mira sepse ne kemi normën më të lartë të euro-optimizmit në Evropë dhe mbetemi të tillë sepse për shqiptarët e për ne në Shqipëri, Bashkimi Evropian është për ne çka ishte për etërit themelues.

Jo një bankomat, por një hapësirë lirie, sigurie, paqeje dhe bashkëpunim. Kështu që nuk ka aspak dyshim që pavarësisht konflikteve të brendshme apo polarizimit apo pikëpamjeve politike apo protestave të gjithë, absolutisht të gjithë bien dakord që Europa është objektivi e destinacioni ynë i përbashkët.

Nuk ka asnjë dyshim për këtë. Ne nuk kemi asnjë alternativë tjetër e as nuk e kërkojmë një të tillë. Ne nuk i ndikohemi nga të tjerë përveçse nga projekti europian. Kështu që jemi mirëfilli europianët më të mirë që mund të gjeni sot në Europë”, tha më tej ai.


Video