Si u tërhoq PS nga ligji i dosjeve për të shpëtuar Gjinushin dhe Xhafajn

25 October 2022, 19:41Fokus SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Si u tërhoq PS nga ligji i dosjeve për të shpëtuar Gjinushin
Fatmir Xhafaj në një foto me Enver Hoxhën

Në mes të vapës së gushtit, socialistët hidhnin herë zyrtarisht dhe herë nën dorë drafte me propozime se si do të ndryshonin disa ligje, që jo vetëm do të hapnin dosjet e ish-sigurimit të shtetit, por edhe do të ndëshkonin me përjashtim nga e drejta e zgjedhjes dhe ajo e emërimit zyrtarët e lartë politikë të regjimit të kaluar.

Për ta realizuar këtë përhapeshin propozime për ndryshime për ligjin e hapjes së dosjeve dhe deri te Kodi Penal dhe ligjet e tjera për të zgjedhurit dhe të emëruarit në poste drejtuese në administratë dhe struktura të ndryshme shtetërore.

Mes propozimeve që diskutohej në ato ditë ishte edhe përjashtimi i sekretarëve të Partisë së Punës, apo funksionarëve të tjerë të lartë të saj nga e drejta për t’u zgjedhur dhe ajo për t’u emëruar. Ligji propozohej me efekt prapaveprues, që do të thotë se do të shkarkonte automatikisht jo vetëm ish-sigurimsat dhe bashkëpunëtorët e tyre, por edhe ish-funksionarët e regjimit.

Propozimi u prezantua nga disa media si shënjestrim ndaj Sali Berishës, që dihet se ka qenë sekretar i Partisë së Punës. Por, një propozim i tillë nuk prekte vetëm Berishën. Listës i shtohej edhe Skënder Gjinushi dhe Fatmir Xhafaj, i pari si ish-ministër Arsimi i regjimit dhe i dyti si ish-hetues.

Por, propozimi i socialistëve ishte sa për konsum veror. Ligji nuk kaloi dhe nga përjashtimi shpëtuan si Berisha, ashtu edhe Xhafaj dhe Gjinushi. Varianti i miratuar nga Partia Socialiste u reduktua vetëm në shfuqizimin e një neni të ligjit ekzistues, që pengonte Autoritetin e Dosjeve që të verifikonte figurat politike të pajisura me certifikata pastërtie nga komisionet ‘Bezhani’ dhe ‘Mezini’.

Si për të vazhduar lojën dhe bashkë me të edhe talljen me qytetarët, PS ka propozuar dy ndryshime të tjera, në ligjin për dekriminalizimin dhe Kodin Zgjedhor, por në të dyja propozimet e prezantuara të paktën publikisht nga Taulant Balla nuk preken ish-funksionarët e regjimit, por vetëm ish-sigurimsat dhe bashkëpunëtorët e tyre.

©Copyright Vox News

Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.

 


Video