Gjatë mbledhjes së Kryesisë së PS-së që u mbajt këtë të enjte, u vendos që zyrtarizmi i emrave të kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet lokale të 14 majit të bëhet në mbledhjen e radhës në datën 25 mars. Kjo datë rezulton të jetë 2 ditë përpara afatit ligjor të regjistrimit të kandidatëve në KQZ.
Por, pavarësisht se kanë mbetur edhe mbi dy javë kohë nga ky afat, duket se pjesa më e madhe e emrave në listën për kandidatë të PS-së janë konfirmuar. Këtë gjë e konfirmoi edhe kryeministri Edi Rama , i cili në fjalën e mbajtur në përfundim të mbledhjes së Kryesisë, deklaroi se Partia Socialiste e ka gati ekipin që do të konkurrojë në zgjedhjet lokale.
Burime për Vox News.al bëjnë me dije se mbledhja e sotme e Kryesisë së PS-së i ka dhënë një goditje Niko Peleshit, i cili shpresonte dhe po mundohej me çdo mjet që kjishte në duare se do të arrinte të rikandidonte për Bashkinë e Korçës “kukullën” e tij, Sotiraq Filo.
Pakënaqësinë e korçavë ndaj kryebashkiakut aktual Sotiraq Filo, e kanë treguar edhe sondazhet e kryera nga Partia Socialiste, ku Filo ka rezultuar si më pak i pëlqyeri nga qytetarët dhe kjo ka bërë që kryeministri Edi Rama të vendosë për të mos ta rikandiduar për një tjetër mandat në krye të bashkisë më të madhe në juglindje të vendit.
Sotiraq Filo deri më sot është konsideruar nga korçarët si një kryebashkiak “hije”, pasi për çdo pakënaqësi i drejtohej Peleshit, duke pretenduar se kryebashkiaku ka qenë thjesht një “kukull” në duart e tij dhe se ministri e ka kthyer qytetin në një monopol të tij.
Burime bëjnë me dije se kandidat i PS-së për Bashkinë e Korçës do të jetë njëri mes prefektit aktual Nertil Jole dhe ish-prefektit dhe ish-deputetit Ardit Konomi, të cilët kanë rezultuar në sondazhe shumë herë më të pëlqyer se Sotiraq Filo.
Emri i Nertil Joles është aluduar prej shumë muajsh se do të jetë ai kandidati i PS-së për Bashkinë e Korçës, por javët e fundit është lakuar dhe emri i Ardit Konomit, ku ka rezultuar se figura e tij ka një pëlqyeshmëri të madhe në qytetin juglindor.
Sondazhet janë kryer dhe në krahasim me dy kandidatët e PD-së, Ledina Alolli dhe Gjergji Gjata, ku ka rezultuar se Jole dhe Konomi kanë pritshmëri më të mëdha për t’u shpallur fitues.
Se kush do të jetë mes këtyre të dyve, mbetet për t’u parë, por ajo që është e konfirmuar është se nuk do të kemi një rikandidim të kryebashkiakut aktual Sotiraq Filo.
Mos rikandidimi i Filos, duket si një goditje edhe për Niko Peleshin, ku pak kohë më parë u aludua se kishte përplasje me kryeministrin Edi Rama, i cili pritej ta shkarkonte nga posti i ministrit të Mbrojtjes, por deri më sot kjo gjë nuk ka ndodhur, gjithsesi mbetet të shihet se si do të vazhdojë raporti mes tyre.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.