Pas reformës në drejtësi, Kryeministri Edi Rama i ka qëndruar përgjithësisht larg tundimit të politikanëve për të sulmuar organet e reja të sistemit, sidomos SPAK-un.
Prokuroria e Posaçme ka qenë tabelë qitjeje nga opozita, madje edhe nga elementë të mazhorancës, ndonëse me doza më të buta kritike.
Por, këtë të premte duket se edhe vetë Ramës i ka sosur durimi me SPAK-un dhe drejtuesin e ri të strukturës, Altin Dumanin.
Përmes një postimi të gjatë Rama e shënjestron për dosjen e 21 janarit, që pavarësisht se ka në dorë audopërgjimin e ri, ku dyshohet se është komunikimi i zinxhirit komandues të Gardës së Republikës, Prokuroria e Posaçme shpalli sërish moskompetencë.
Në letrën që kreu i SPAK, Altin Dumani u ka dorëzuar familjarëve të katër viktimave ja kalon Prokurorisë së Tiranës që të gjejë nëse në dosje ka akuza që mund të kalojnë në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme.
E thënë më thjesht, Dumani e përcolli dosjen për te prokuroria normale, duke mos gjetur elementë të vrasjes së organizuar shtetërore, as pa publikimit të audio-përgjimeve të reja.
Për Ramën, hetimi i 21 janarit nga SPAK nuk ka pasur nevojë për prova të reja dhe ai kritikon fort vendimin për të shpallur moskompetencë për të. Vendimit dhe këmbënguljes së Dumanit për të mos e marrë këtë dosje, Rama i përgjigjet duke i kujtuar drejtësinë e vjetër.
Kryeministri paralajmëron rrezikun që SPAK të rrëshqasë në inercinë e drejtësisë së vjetër dhe se 21 Janari është njëra prej atyre dosjeve, në mos kryesorja, se pse zhgënjimi popullor te reforma në drejtësi dhe zemra e kësaj reforme, Prokuroria e Posaçme është i madh./Vox News


