Me vendimin e Gjykatës së Apelit, që i la vulën Enkelejd Alibeajt, Sali Berisha nuk mund të regjistrohet në emër të Partisë Demokratike në zgjedhjet bashkiake të 14 majit.
Si zgjidhje, ai dhe mbështetësit e tij kanë sugjeruar hyrjen në koalicion me partitë opozitare. Regjistrimi i koalicioneve ka afat deri më 15 mars. Ligji në fuqi u mundëson dy ose më shumë partive që të hyjnë në koalicion, ku të përcaktohet partia udhëheqëse e tij.
Duke iu referuar 6 marsit, kur Berisha hyri në zgjedhje nën logon e koalicionit të ‘Shtëpisë së Lirisë’, por që ligjërisht këtë pjesëmarrje ja mundësoi në atë kohë Lëvizja Socialiste për Integrim, kjo hamendësohet se mund të ndodhë edhe për 14 maj.
Megjithatë, vizita e beftë e Yuri Kim këtë të mërkurë në selinë e Partisë së Lirisë dhe takimi me Metën mund të sjellë surpriza. Ilir Meta tha publikisht se me Ambasadoren ka diskutuar për korrupsionin e lartë, narkotrafikun, pastrimin e parave dhe keqpërdorimin e administratës për zgjedhje.
Kjo është njëra anë e medaljes së diskutimeve, ajo e Ilir Metës. Ana tjetër, të paktën publikisht nuk dihet, përsa kohë Ambasadorja nuk ka dalë me një deklaratë. Jo publikisht, burime të Vox News.al pohojnë se mesazhi kryesor që ka përcjellë Yuri Kim për Ilir Metën është përsëritja e kërkesës për t’u distancuar nga Sali Berisha.
Por, në çfarë forme mund të mbërrijë ky distancim para zgjedhjeve të 14 majit, përveçse duke mos pranuar që ta regjistrojë Berishën dhe kandidatët e tij në këto zgjedhje? Mesazhi nuk është përçuar me aq kortezi.
Burimet thonë se Ambasadorja e ka paralajmëruar Ilir Metën se nëse shpërfill këtë kërkesë të amerikanëve, atëherë edhe ai rrezikon që të përfshihet në listën e personave non grata, ashtu si Sali Berisha.
Kim i ka kujtuar kreut të Partisë së Lirisë qëndrimet e vazhdueshme të Uashingtonit se refuzon bashkëpunimin e komunikimin me persona të shpallur padëshirueshëm dhe kufizon bashkëpunimin me ata që i mbështesin këta persona.
Veç kësaj, për Ilir Metën ka zëra se e ka dosjen gati në Departamentin e Shtetit, madje pati nga ata që hamendësuan se dosja dhe vendimi do të bëheshin publike sapo ai të dilte nga Presidenca. Por, nëse deri më tani nuk ka ndodhur, a mund të ndodhë nëse Ilir Meta sfidon kërkesën e amerikanëve dhe bëhet kamerdarja e Berishës për pjesëmarrje në zgjedhjet e 14 majit? Për këtë duhet pritur…
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.