Në shërbim të Ahmetajt? Dy prokurorët e SPAK ‘zvarrisin’ hetimet për ish-ministrin

10 February 2023, 14:58Fokus SHKRUAR NGA ENDRIT HABILAJ
Në shërbim të Ahmetajt? Dy prokurorët e SPAK
Në foto: Arben Ahmetaj, prokurorët e SPAK, Klodian Braho dhe Eneid Nakuçi

Provat ulëritëse të publikuara në Inside Story në Top Channel për korrupsionin e Arben Ahmetajt, jo vetëm që nuk kanë vënë në lëvizje dy prokurorët e dosjes aktuale, Klodian Braho dhe Eneid Nakuçi, por kanë shtuar dyshimet se dy prokurorët janë në shërbim të Ahmetajt.

Nga burojnë këto dyshime?  Së pari, pas transmetimit të Inside Story, SPAK dërgoi oficerët e policisë gjyqësore për të marrë emisionin e plotë dhe provat e transmetuara në atë emision, mes të cilave edhe dokumentacionin që lidhet me vilën e fshehur nga Ahmetaj në bregdetin e Lalëzit.

Më shumë se sa për të marrë këto prova, dërgimi i oficerëve të policisë gjyqësore është një manovër për të gënjyer publikunse gjoja SPAK po vepron. Provat janë publike, ashtu si emisioni që ndodhet i shpërndarë nëpër rrjetet sociale me video, foto e tekst.

Por, ajo që është më flagrante është se dy prokurorët e SPAK po kërkojnë nga një emision investigativ prova që kanë dalë nga pajisjet elektronike që kanë konfiskuar nga Klodian Zoto. Aty kanë gjetur edhe gazetarët e Inside Story-t e-mailin e dërguar në adresën e Klodian Zotos, e-mail që provonte se ai ishte porositësi i vilës.

Më pas, me logjikë të thjesht, Inside Story ndoqi gjithë tranksaksionet e shit-blerjes së këtij objekti, duke provuar se me shifra qesharake nga çmimi real i vilës, ajo përfundon rastësisht në pronësi të Erjola Hoxhës, partneres aktuale të Arben Ahmetajt.

Ka dy mundësi në lidhje me këto shkresa, e para që dy prokurorët e SPAK kanë qenë të paaftë që të gjejnë të njëjtat prova që gjeti Inside Story dhe e dyta që këto prova janë gjetur, por dy prokurorët Klodian Braho dhe Eneid Nakuçi kanë heshtur.

I gjithë dokumentacioni i publikuar nga Inside Story e mpleks aq shumë me korrupsion Arben Ahmetajn, sa meriton të paktën hapjen e një hetimit të ri, këtë herë jo nga dy prokurorët Klodian Braho dhe Enedi Nakuçi, të cilët janë kompromentuar me hetimet e dosjes së inceneratorit të Elbasanit, ku akuzohen se kanë fshehur faturat dhe pagesat e Klodian Zotos për Arben Ahmetajn./TopNews


Video