Në Kuvend janë depozituar zyrtarisht tre propozime për hapjen e dosjeve. I pari është ai i socialistëve, ai i Enkelejd Alibeajt në emër të Partisë Demokratike dhe ai i dorëzuar këtë të mërkurë nga Oerd Bylykbashi po në emër të Partisë Demokratike.
Të tre propozimet janë shoqëruar me deklaratat respektive se përse duhet të votohen nga Kuvendi, në emër të transparencës për të shkuarën dhe përjashtimit të ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit dhe ish-zyrtarëve të lartë të regjimit komunist nga e drejta për t’u zgjedhur dhe postet publike.
Por, e vërteta është se asnjëri prej propozimeve nuk e realizon plotësisht qëllimet për të cilat trumpetohen. Propozimi i socialistëve është riverfikimi i politikanëve që janë pajisur me certifikatë pastërtie figure nga komisionet ‘Mezini’ e ‘Bezhani’ dhe ndalimin e zgjedhjes dhe të emërimit në poste të larta të tyre.
Propozimi i Alibeajt kërkon hapjen e plotë të dosjeve për të gjithë, por nuk shoqërohet me penalitete për ata që figurojnë ish-bashkëpunëtorë të sigurimit të Shtetit, apo zyrtarë të lartë të ish-regjimit komunist. Ironikisht i njëjti propozim ka mes rreshtave ndalimin e filmave të epokës komuniste.
Ndërkohë, propozim i Berishës është në thelb rikthim i lustracionit, që nismë e fundmandatit të 2005-2009 të ish-Kryeministrit, por që u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese si antikushtetuese. Nisma e Berishës synon hapjen e dosjeve vetëm për ata që figurojnë në to, pra për bashkëpunëtorët dhe viktimat e tyre.
Kjo nismë parashikon ndalimin e kandidimit, apo të zgjedhjes së një personi që figuron bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.
Në të treja variantet nevojitet ndërhyrja në ligjet e tjera, madje në bazë të propozimeve mund të kërkohen deri edhe ndryshime kushtetuese. Ligjet ku duhet të ndërhyhet janë Kodi Zgjedhor dhe ai për dekriminalizimin.
E vetmja që ka një draft jozyrtar për të ndërhyrë te dekriminalizimi është Partia Socialiste. Por, propozimi i socialistëve nuk është zyrtarizuar në Kuvend. Varianti jozyrtar i PS-së, veë ish-bashkëpunëtorëve të sigurimit të shtetit ndalon edhe të shpallurit non grata nga vendet partnere nga e drejta e zgjedhjes.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.