Fitorja e Shkodrës nga socialistët duket se ka ‘asin’ e saj dhe ai është ish-deputeti, tashmë kreu i Partisë Social Demokrate, Tom Doshi.
Gjatë numërimit të votive të Këshillit Bashkiak në Shkodër del se deri më tani, PSD ka siguruar 12 karrige këshilltarësh, ndërsa Partia Socialiste ka marrë 18.
Progresionet e numërimit tregojnë një rritje të PSD edhe më tej, ndërsa Bashkë Fitojmë ka marrë 13 dhe PD e Alibeajt 4. Tom Doshi ashtu si dhe Sali Berisha jane non grata nga SHBA.

Janë numëruar 240 QV nga 247 në total, analiza e humbjes së opozitës në Shkodër do të vijojë në ditët në vijim por ekuilibrat politike në këtë qytet tanimë kanë ndryshuar.
Sinjalet e para se Shkodra do të shihte majtas u dhanë edhe në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021. Tom Doshi, një figurë kontraverse e politikës dhe biznesit shqiptar, i shpallur nongrata nga SHBA, garoi në zgjedhjet parlamentare të 2021 në dy qarqe, Tiranë dhe Shkodër.
Në Tiranë, ai mori një mandat ndërsa në Shkodër 2, në të dy qarqet Doshi kryesoi listën, por menjëherë pas shpalljes së rezultatit, ai dorëzoi mandatin, një lëvizje taktike që i dha mundësinë të fitonte mbështetjen me emrin e tij dhe më pas kandidatët fitues të hynin në parlament. Partia Social Demokrate garoi e vetme por mbështeste kandidatët e Partisë Socialiste në veri të Shqipërisë.
Kujtojmë se më 14 maj u zhvilluan zgjedhjet vendore në 61 bashki të vendit. PS ka fituar deri më tani bashki të vendit; Tirana, Kamëz, Vorë, Elbasan, Pustec, Kolonjë, Librazhd, Dropull, Tropojë, Roskovec, Libohovë, Rrogozhinë, Këlcyrë, Gramsh, Belsh, Përmet, Delvinë, Selenicë, Tepelenë, Peqin, Poliçan, Devoll, Lushnjë, Bulqizë, Mat, Malësia e Madhe, Klos, Korçë, Kuçovë, Sarandë, Dibër, Skrapar, Cërrik, Patos, Prrenjas, Berat, Vau i Dejës, Mallakastër, Vlorë, Konispol, Maliq, Lezhë, Dimal, Mallakastër, Divjakë, Shijak, Përmet, Pogradec, Kukës dhe Kurbin.
Ndërsa “Bashkë Fitojmë” ka arritur të fitojë në total vetëm në shtatë bashki; Kavajë, Pukë, Has, Himarë, Memaliaj, Mirditë, Fushë Arrëz.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.