Shënim: Arben Kraja po i shfrytëzon ditët e fundit në krye të Prokurorisë së Posaçme me përpjekje për t’u justifikuar në lidhje me dështimet dhe paaftësinë, apo mungesën e vullnetit për të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore peshqit e mëdhenj.
Ai e mbyll e mbyll mandatin si drejtues i Prokurorisë së Posaçme më 18 dhjetor. Një mandat që duhej të mbahej mend, nisur nga investimi dhe besimi i madh që patën shqiptarët dhe ndërkombëtarët te reforma në drejtësi dhe SPAK në veçanti.
Pjesë e kësaj fushate të Krajës duket se ishte edhe dalja para kamerave për aksionin e ndërmarrë në laboratorin e kokainës në Frakull të Fierit. Përpjekje për të marrë merita, kur operacioni, siç pohojnë burime të Voxnews.al ishte i organizuar nga ndërkombëtarët dhe SPAK i Krajës në këtë rast dyshohet se ka pasur një rol thjesht ekzekutiv.
Por s’u ndal me kaq! Kreu i SPAK doli edhe në media. Në një intervistë 40-minutëshe dhënë në Euroneës, kreu i Prokurorisë së Posaçme foli gjatë, por s’tha asgjë. E vetmja gjë e re që tha, të paktën në publik ishte pjesa kur pohoi se ndaj prokurorëve të SPAK po ushtrohej presion.
Me dosjet mullar në sirtaret e këtij institucioni askush s’e mohon se presioni mund të jetë ushtruar. Por, Kraja habiti kur tha se presioni nuk po i ushtrohej nga ata që kanë mbi shpinë nga 2-3 dosje në këtë institucion me akuza të rënda, por nga portalet.
Sipas Arben Krajës, kur portalet shkruajnë me kritika ndaj tij dhe SPAK-ut të drejtuar prej tij ato janë forma presioni. Por, a mund të quhen presion shkrimet e portaleve se pse prokurorët e posaçëm, më të paguarit në Shqipëri dhe ndër më të paguarit në Europë nëse merret për bazë rroga mesatare e çdo vendi, zbatojnë dy standarde?
A mund të quhet presion kur portalet denoncojnë qëndrimet me dy standarde të strukturës, ku në njërën anë mban në burg pa prova, apo me prova minimale zyrtare për X dosje dhe zvarrit me arsyetimin ‘po hetojmë’ dosjet në kurriz të Sali Berishës dhe Ilir Metës?
A mund të quhet presion kërkesa e llogarisë për këto qëndrime të dyfishta? E sigurtë që jo. Madje me qëndrimin e mbajtur në intervistën e dhënë për Euroneës, Arben Kraja e përforcoi bindjen se qëndrimi me dy standarde nuk ka qenë i rastësishëm.
Si ish-drejtues i antikorrupsionit kur Ilir Metaj ishte Kryeministër, Arben Kraja duhet ta dijë më mirë se kushdo që në këtë rast presioni nuk vjen nga portalet që të kërkojnë llogari. Presioni real ndaj tij më shumë ka qenë nga protagonistët e këtyre dosjeve, përfshirë Ilir Metajn.
Kur thotë se portalet po ushtrojnë presion më shumë se alibi për të fshehur mungesën e rezultateve në tre vite, me gjasë qëndron përpjekja për të fshehur bashkëpunimin e Krajës në gjithë zvarritjen e padive dhe proceseve që lidhen me Sali Berishën dhe Ilir Metën.
Këtë e përforcon edhe deklarata e Arben Krajës, kur tha se hetimet për Berishën i kishte nisur para se të shpallej non grata nga SHBA, që do të thotë më shumë se 18 muaj më parë. Çfarë i ka penguar këto hetime deri më tani? Çfarë i kanë penguar hetimet ndaj Sali Berishës dhe Ilir Metës bashkë, aq më tepër kur dosja për të parin është gati nga SHBA kur e shpalli non grata për afera madhore korruptive, ndërsa për të dytin ka 5 padi në sirtare?
A i penguan portalet? Sigurisht që jo! Nga të gjitha këto, portalet më shumë se pengesë për të hetuar, kanë qenë pengesë që Arben Kraja të mbyllte këto dosje.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.