
Fiks Fare denoncoi dy realitete të ndryshme të konvikteve ku duhet të qëndrojnë studentët. Qyteti Studenti ishte braktisur për kushtet e këqija. Një panoramë tjetër ishte në konviktet pranë Universitetit Bujqësor të Kamzës. Shteti shpenzoi 30 milionë euro. Nuk qëndronin studentë shqiptare, por punëtorë dhe studentë të huaj.
Pas këtyre denoncime, “Fiks Fare” u interesua pranë Bashkisë së Tiranës. Drejtuesit thanë se, drejtori i përgjithshëm Olsi Shahini, është larguar menjëherë nga detyra. Zyrtarisht thanë se është dorëhequr.
Nga ana tjetër, Drejtoria e Kufirit dhe Emigracionit në Policinë e Shtetit, ka shkuar në konviktet e UBT për të verifikuar listën e punëtorëve dhe studentëve të huaj. Gazetarët tentuan që t’i pyesin se çfarë veprimesh kryen, por morën refuzimin e tyre.
Sipas këtij dokumenti, në krye të këtij grupi të Policisë së Shtetit qëndronte shefi i sektorit të Kufirit dhe Emigracionit në Tiranë. Ata verifikuan të gjithë listën me punëtorë dhe studentë të regjistruar.
"Ne na kanë marrë në telefon që erdhëm dhe do të merresh në pyetje nga policia, nga Drejtoria e Kufirit. Se ne kemi ardhur për të huajt. Që ne të kapim atë që ka bërë këtë procedurë. Tani ka ardhur policia dhe ka procedura të tjera. Se njëni ka për të mbajtur përgjegjësi këtu nga drejtorët. Ta harrosh ti se është bërë mediatike tani. Është bërë, njëri ka për të mbajtur. Se do të ketë probleme këtu” thotë njëri prej punonjësve, në komunikim me punonjëset.
Drejtoria e Kufirit dhe Emigracionit duket se kishte informacion se ka probleme. Po përse vendosën tani që të veprojnë?! “Këta do kenë probleme, është e sigurt. Në një konvikt shtetëror që nuk e di, pse rrinë bosh këto, s’vinë nxënës këtu?” pyet ai, ndërkohë që punonjësja i shpjegon se të huajt kanë pranuar se paguajnë 200 euro në muaj (5500 lekë tarifa shtetërore në muaj).
“Si mund të fusësh ti njerëz të tjerë. Se këtu mund të vijë një kriminel” pohon punonjësi.
Ndërkohë, pas transmetimit të investigimit, administratori i kompanisë private Feniks, Florian Shehu, ka urdhëruar të gjithë punonjësit e “Wolt”-it që të fusin në dhoma kutitë që mbajnë pas motorrave.
“Këta që janë të ‘Wolt’-it me pica mbrapa, erdhën radhë këta nja 3-4. I futën atje. Ku do t’i çoni. Do t’i çojmë nëpër dhoma. Ça nëpër dhoma, futen ato nëpër dhoma. Mora atë Luizën (administratoren) lëre më tha se kemi folur me Florin. Po ik o ça Flori, Flori s’di ku është për vete i thashë unë. U thashë do të kalojnë 200 veta me ato të motorrave do t’i fusin nëpër dhoma, ça bëni kështu. Stallë lopësh do t’i bëni dhomat” thotë roja i godinës numër 2. (Fiks Fare)