
Një 46-vjeçar është gjetur i pajetë mbrëmjen e sotme brenda automjetit të tij “Volvo” në rrugën “Mihal Popi” në kryeqytet. Fillimisht u dyshua për një vrasje, ndërsa grupi hetimor ka qartësuar se kemi të bëjmë me vetëvrasje.
Viktima është identifikuar si Ismet Habili, ndërsa brenda në automjet është gjetur dhe arma e krimit me të cilën ka qëlluar veten me një plumb në kokë. Automjeti i 46-vjeçarit është gjetur i hipur në trotuar jashtë korsisë, fare pranë një objekti banimi.
Kanë qenë banorët e zonës që kanë telefonuar policinë për të raportuar një aksident.
“Më datë 20.10.2026, rreth orës 20:20, në Sallën Operative është marrë njoftim për një automjet të aksidentuar në rrugën “Mihal Popi”, në bllokun “1 Maji”. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë shkuar në vendngjarje, ku kanë konstatuar brenda automjetit tip “Volvo”, shtetasin I. H., pa shenja jete, i cili dyshohet se është vrarë me armë zjarri”, thuhej në njoftimin paraprak të Policisë së Tiranës.
Paraprakisht dyshohet që viktima të ketë vetëvrarë veten për shkak të problemeve familjare. Në vendin e ngjarjes mbërriti i biri, i cili shpërtheu në ulërima për të atin e vdekur.
Sakaq, hetimet po vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit.