Partia e ekstremit të djathtë në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (AfD), po rishikon qëndrimin e saj historik kundër euros dhe Bashkimit Europian, në një përpjekje për t’u paraqitur si një forcë politike më e pranueshme për aleatët e mundshëm dhe për të rritur shanset për të hyrë në pushtetin federal.
Sipas një analize të publikuar nga Reuters, pas fitores historike në zgjedhjet rajonale në Saksoni-Anhalt në shtator, AfD-ja është më pranë se kurrë mundësisë për të marrë pjesë në qeverisjen kombëtare përpara fundit të dekadës. Partia kryeson aktualisht në sondazhet kombëtare, ndërsa rritja e ndikimit të forcave të djathta në Evropë po e shtyn të rishikojë strategjinë e saj për të ardhmen e kontinentit.
E themeluar në vitin 2013, në kulmin e krizës së borxheve në Eurozonë, AfD-ja nisi si një lëvizje kundër monedhës së përbashkët dhe ndihmës financiare për vendet me borxhe të larta. Më vonë, kritikat e saj u zgjeruan ndaj vetë Bashkimit Evropian, ndërsa kundërshtimi i emigracionit u shndërrua në një nga shtyllat kryesore të mbështetjes elektorale.
Megjithatë, një pjesë e drejtuesve dhe anëtarëve të partisë po argumentojnë se, në kushtet kur partitë e djathta radikale po fitojnë ndikim në disa vende evropiane, është më efektive të synohet ndryshimi i BE-së nga brenda sesa largimi prej saj.
“Që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore, perspektivat për reformimin e BE-së në përputhje me vizionin tonë nuk kanë qenë kurrë më të mira”, deklaroi deputeti i AfD-së, Sebastian Münzenmaier.
Strategjia e re: Reformim i BE-së, jo domosdoshmërish largim
Një sinjal i këtij ndryshimi ishte dokumenti strategjik i prezantuar muajin e kaluar nga bashkëkryetarja e AfD-së, Alice Weidel, në Parlamentin Europian në Strasburg. Dokumenti, i titulluar “Një marrëveshje e re për Evropën”, u paraqit së bashku me aleatët e partisë në grupimin “Evropa e Kombeve Sovrane”.
Propozimi e zhvendos theksin nga largimi i Gjermanisë prej euros dhe BE-së drejt rinegocimit të traktateve, me synimin për krijimin e një bashkimi më fleksibël dhe me më shumë kompetenca për shtetet anëtare.
Mes ideve të parashikuara është një mekanizëm për përjashtime nga politikat e përbashkëta, për shembull në fushën e shpenzimeve të mbrojtjes apo emigracionit, si dhe zbatimi më i rreptë i rregullave buxhetore. Kjo qasje lë të hapur mundësinë e ruajtjes së euros. Në rast se përpjekjet për reformim dështojnë, dokumenti sugjeron që drejtimi i ardhshëm evropian i Gjermanisë të vendoset përmes një referendumi.
Weidel deklaroi se AfD-ja dhe aleatët e saj mbështesin një “bashkim evropian, një Evropë të atdheve”, por nuk dha një përgjigje të qartë nëse vazhdon të kërkojë largimin e Gjermanisë nga Eurozona apo nga BE-ja.
AfD kërkon të shmangë pengesat për një bashkëpunim të ardhshëm me CDU-në
Rishikimi i qëndrimeve ndaj Evropës lidhet edhe me ambicien e AfD-së për të gjetur një rrugë drejt pushtetit federal. Disa prej anëtarëve më të rinj të partisë mendojnë se qëndrimet e ashpra kundër euros dhe BE-së mund ta vështirësojnë bashkëpunimin e mundshëm me Unionin Demokristian (CDU), partinë konservatore të kancelarit Friedrich Merz, e cila aktualisht përjashton çdo aleancë me AfD-në.
Jean-Pascal Hohm, 29 vjeç, drejtues i organizatës rinore të partisë “Generation Deutschland”, argumenton se zhvillimet politike në Evropë, konkurrenca në rritje nga Kina dhe pasiguria mbi besueshmërinë e Shteteve të Bashkuara e bëjnë më të nevojshëm bashkëpunimin evropian.
“Nëse do ta anulonim monedhën e përbashkët dhe secili do të ndiqte rrugën e vet, kjo do të ishte plotësisht utopike dhe do të na shkaktonte dëme të mëdha”, u shpreh Hohm.
Ai shtoi se brezat e rinj evropianë, pavarësisht kombësisë, e shohin gjithnjë e më shumë veten si pjesë të Evropës dhe janë më pak të prirur të vazhdojnë konfliktet e trashëguara nga brezat e mëparshëm.
Megjithatë, kjo qasje nuk gjen ende mbështetje të plotë brenda partisë. Një rezolutë e propozuar nga Hohm në kongresin e gushtit, e cila theksonte rëndësinë e idesë evropiane përtej dimensionit ekonomik dhe monetar, u tërhoq pasi nuk siguroi mbështetjen e nevojshme.
“Çështja e euros rezultoi më e diskutueshme nga sa kishim parashikuar”, pranoi ai.
Modeli i partive të tjera të djathta në Europë
AfD-ja duket se po ndjek një rrugë të ngjashme me atë të disa partive të tjera të djathta radikale në Europë, të cilat kanë zbutur qëndrimet euroskeptike për të zgjeruar mbështetjen dhe për të hyrë në qeverisje.
Në Francë, Tubimi Kombëtar i Marine Le Pen hoqi gradualisht nga programi kërkesën për braktisjen e euros, ndërsa në Itali, partia Vëllezërit e Italisë e kryeministres Giorgia Meloni ka moderuar retorikën kundër BE-së që prej ardhjes në pushtet.
Edhe Partia e Lirisë në Austri ka hequr dorë nga një pjesë e qëndrimeve të saj anti-europiane gjatë rrugës drejt pjesëmarrjes në koalicionet qeverisëse.
“Austria shërben si një model për AfD-në”, tha Wolfgang Schroeder, profesor i shkencave politike në Universitetin e Kasselit, duke shtuar se heqja dorë nga këto qëndrime mund të jetë vetëm çështje kohe.
Sipas Schroeder, ekonomia gjermane, e mbështetur fort te eksportet dhe e integruar në tregjet ndërkombëtare, do të pësonte pasoja të rënda nëse vendi do të largohej nga BE-ja ose Eurozona.
Pavarësisht debateve të brendshme, AfD-ja po përpiqet të përshtatë programin e saj me realitetin e ri politik evropian. Por çështja e euros mbetet një nga temat më të ndjeshme brenda partisë, ndërsa rruga drejt pushtetit federal mund ta detyrojë atë të bëjë kompromise me disa prej parimeve mbi të cilat u themelua.