
Shqipëria do të përfitojë të paktën 450 milionë euro nga paketa 3.2 miliardëshe e vendosur nga Komisioni Europian për investime në infrastrukturën ndërlidhëse në Ballkanin Perëndimor.
190 mln euro do të jepen për ndërtimin e anashkaluesit (Bypass) të Tiranës, që do të lidhë autostradën Tiranë-Durrës me atë Tiranë-Elbasan.
267 milionë euro të tjera janë ndarë për hekurudhën Hani i Hotit-Vorë, ku do të lidhet me hekurudhën e re Tiranë-Durrës.
Ndërkohë një shifër e papërcaktuar këtë herë do të jepet edhe për projektin e impiantit të prodhimit të energjisë elektrike me diell në Vaun e Dejës.
Dy projektet e para infrastrukturore janë pjesë e projektit “Korridori i Mesdheut”, me anë të të cilit BE synon të lidhë me hekurudhë dhe autostrada brigjet nga Kroacia në veri, deri në Greqi në jug.
Paketa totale prej 30 mld eurosh do të lëvrohet nga BE për projekte infrastrukturore, digjitale, mjedisore dhe forcimin e ekonomisë për të gjashta vendet e Ballkanit Perëndimor brenda vitit 2027.