Shqipëria është i vetmi vend në rajon që nuk aplikon tatim të reduktuar për ushqimet e shportës, sipas Open Data Albania, e cila ka zbardhur normën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar TVSH në Rajon (BP) dhe Bashkim Europian (BE) për artikuj bazë të shportës së konsumit. Konkretisht produkte ushqimore, transport dhe energji elektrike, gaz natyror etj.
Të dhënat për këtë artikull janë marrë nga databaza tatimore e Komisioni Evropian dhe platforma PWC.
Normat e reduktuara të TVSH filluan të aplikohen gjerësisht pas pandemisë Covid 19, por në Shqipëri ndryshe nga BE nuk ka pasur lehtësime tatimore TVSH-je, në kategori si ushqime baze apo ngrohje dhe energji.
Po njësoj po veprohet edhe gjatë krizës së vitit 2022, vit me vështirësi në tregje për shkak të zhvillimeve në Ukrainë dhe embargove mes Federatës Ruse dhe vendeve që aplikojnë sanksione.
Shqipëria ka nisur aplikimin e TVSH në vitin 1996 dhe që prej atij viti janë rritur ndjeshëm të ardhurat nga tatimi indirekt në buxhet. Norma standarde e TVSH-së rezulton 20 % duke mos ndryshuar që nga aplikimi fillestar.
Por përtej normës Bazë, shtetet aplikojnë në mënyrë konstante apo të përkohshme edhe Tatim në masë të reduktuar.
Kjo bëhet për katër arsye tipike: rritje e mundësisë për konsum të shportës bazë si masë për të ndihmuar shtresat në nevojë apo konsumatorët në kohë krizash; inkurajim të konsumit të disa mallrave si psh libri; promovim i disa shërbimeve konkurruese si turizmi; dhe në finale korrigjim i faktorëve të jashtëm në ekonomi.
Krahas normës standard të TVSH, shtetet aplikojnë norma të reduktuara me qëllim rritjen e mundësisë për konsumin e shportës bazë, konkretisht për mallra dhe shërbime si: ushqimi, produktet e energjisë, transporti publik etj.
Thuajse të gjitha vendet e Rajonit, Ballkan Perëndimor dhe EU aplikojnë norma të reduktuara TVSH e disa nivele për grupin e mallrave ushqimorë. Shqipëria është nga pak vende që nuk e aplikojnë TVSH të reduktuar për Ushqimet dhe Produktet e Shportës. Vendi ynë e aplikon TVSH në ndihmë të Turizmit me 6%.
Për produktet ushqimore norma mesatare e TVSH që aplikohet në vende të BE dhe Ballkanit Perëndimor rezulton 9 %, ndërkohë që në Shqipëri ushqimet tatohen me normë standarde 20 %.
Pjesa dërrmuese e vendeve aplikojnë norma të reduktuara apo përjashtime për artikujt bazë. Duke nisur me Finlandën i cili renditet me normë më të lartë të diferencuar 14 % në ushqime, vijojmë me Greqinë normë 13 %, Suedia 12 %, Austria Ceki, Sllovaki, Slloveni, përkatësisht 10 %, Bullgaria 9 %; Holandë 9 %; Gjermani 7 %; Portugali 6 %; Kroacia 5 %; Qipro 5 %; Letonia 5 %; Hungari 5 %; Polonia 5 %; Rumania 5 %; Spanja 4 %; Itali 4 %; Luksemburg 3 %, Francë 2 %. Vende si: Belgjikë, Irlandë dhe Maltë aplikojnë normën zero % në artikuj bazë.
Duke mos aplikuar TVSH të reduktuar për Ushqimet, Shqipëria mbetet vendi me përqindjen të lartë të TVSH së për Ushqime në Europë dhe Ballkan Perëndimor.