
Skema e pensioneve vijon të jetë problem, jo vetëm për të patur një pension normal në vendin tonë, por duke thelluar më tej gropën në buxhetin e shtetit. Në një shënim të pak ditëve më parë VoxNews renditi dhe faktorët kryesorë që ndikonim në mos funksionimin e kësaj skeme, siç është plakja e popullsisë, mosha e daljes në pensin, vitet e kontributeve etj..
Sot Banka e Shqipërisë vjen me një rekomadim të ri për nxitjen dhe funksionimin e kësaj skeme, siç prej këtij institucioni konsiderohet ajo e zhvillimit të shtyllave private të pensioneve.
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, shprehu sot në Komisionin Kuvendor të Ekonomisë dhe Financave opinionet e institucionit për projektbuxhetin e vitit të ardhshëm.
Sejko tha se qëndrueshmëria financiare e skemave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore vijon të jetë një sfidë serioze për financat e shtetit, sidomos në kontekstin e trendeve jo të favorshme demografike dhe të lëvizjes së lirë të forcës punëtore.
“Në projektbuxhetin e vitit 2024, këto skema parashikohet të krijojnë një deficit rreth nivelit 3.6% të PBB-së, ose 1.1 pikë përqindjeje më të lartë se deficiti i përgjithshëm buxhetor. Për këtë arsye, Banka e Shqipërisë sugjeron rishikimin periodik të kuadrit ligjor që rregullon skemën e pensioneve, atë të sigurimeve shëndetësore dhe skemat e tjera të sigurimeve sociale. Po ashtu, ne inkurajojmë intensifikimin e përpjekjeve për zhvillimin e shtyllës së dytë e të tretë të sistemit privat të pensioneve, atë të sigurimit të detyrueshëm dhe vullnetar. Këto shtylla të rëndësishme të sistemeve moderne të pensioneve do të kontribuonin në rritjen e përshtatshmërisë së skemave të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore me ndryshimet demografike dhe vendosjen e tyre në trajektore të qëndrueshme dhe të përballueshme për buxhetin e shtetit,” tha ai.
Guvernatori nënvizoi se shkalla e mbledhjes së të ardhurave publike në Shqipëri është në nivele të ulëta krahasuar me të vendet e rajonit dhe qeveria duhet të gjejë mënyrat për t’i rritur këto të ardhura. Shkalla e mbledhjes së të ardhurave publike në vend – aktualisht rreth nivelit 28% të PBB-së – mbetet relativisht e ulët në krahasim me atë të vendeve të rajonit, mesatarja e të cilave qëndron rreth nivelit 36% të PBB-së.
Ai tha se konsolidimi në kohë i shëndetit të financave publike duhet të bazohet në rritjen progresive të nivelit të grumbullimit të të ardhurave.
“Kjo përqasje ndihmon qëndrueshmërinë e borxhit publik dhe ruan hapësirat e nevojshme për shpenzime në mbështetje të prioriteteve strategjike të zhvillimit, e më konkretisht për investime në arsim, shëndetësi dhe infrastrukture. Rritja e qëndrueshme e të ardhurave publike duhet të kalojë nga një linjë aksioni, e cila duhet të synojë fillimisht reduktimin e informalitetit dhe më tej të shikojë hapësirat për thjeshtimin dhe drejtpeshimin e barrës tatimore, midis kategorive të ndryshme ekonomike dhe shtresave sociale,” tha Sejko.
Banka e Shqipërisë sugjeron adoptimin e një plani pune, i cili duhet të synojë rritjen e qëndrueshme të nivelit të të ardhurave publike.
Në krahun e shpenzimeve, Banka e Shqipërisë mbështeti ruajtjen e kahut konsolidues të politikës fiskale e cila sipas tij mundëson një kthim më të shpejtë dhe me kosto më të ulëta të inflacionit në objektiv.
“Ruajtja e kahut konsolidues të politikës fiskale i shërben qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike. Projeksionet e projektbuxhetit sugjerojnë se borxhi bruto i sektorit publik pritet të zbresë poshtë nivelit 60% të PBB-së gjatë vitit 2024, duke shënuar dhe nivelin më të ulët të tij për më shumë se një dekadë. Sikundër e kemi theksuar në vazhdimësi, niveli i lartë i borxhit publik ka qenë dhe mbetet një ndër dobësitë strukturore të ekonomisë shqiptare, duke reduktuar aftësinë tonë në përballimin e goditjeve dhe duke diktuar kosto më të larta financimi për sektorin privat. Për këtë arsye, ne kemi kërkuar dhe mbështetur çdo nismë e politikë fiskale që mundëson reduktimin e qëndrueshëm të borxhit publik,” tha ai.
Sejko tërhoqi edhe njëherë vëmendjen në faktin se realizimi i planit të investimeve duhet të ketë një shpërndarje më të njëtrajtshme gjatë vitit. Sipas tij, Përqendrimi kronik i tyre në gjysmën e dytë të vitit shkakton luhatje të panevojshme në treguesit ekonomikë dhe tregjet financiare, duke ulur dhe eficiencën e shpenzimeve publike.
Banka e Shqipërisë përsëriti edhe këtë vit sugjerimin për përfshirjen e tavaneve ligjore afatgjata mbi vlerën e përgjithshme të kontraktuar të PPP-ve. Sipas Guvernatorit, ky rregullim do të ishte një element plotësues i kontrollit të nivelit të rrezikut potencial që PPP-të mund të kenë mbi shëndetin e financave publike. Gjithashtu Banka e Shqipërisë sugjeron përmirësimin e vazhdueshëm të kapaciteteve profesionale të njësive që administrojnë vlerësimin, kontraktimin dhe monitorimin e këtyre projekteve, sidomos sa i takon detyrimeve ligjore dhe financiare që ato i ngarkojnë Buxhetit.