Nuk ndalet rritja e çmimeve të produkteve të bulmetit.
Një tjetër fabrikë e përpunimit të qumështit nga dita e sotme ka rritur çmimet nga 9 deri 11% të kosit, djathit të deles dhe të lopës.
Administratori i një fabrike të përpunimit të qumështit në fshatin Nizhavec të rrethit Pogradec tha për “Monitor” se në muajin shkurt i rritën çmimet 5% për shkak të shtrenjtimit të naftës dhe pasigurisë të furnizimit në lëndë të parë që krijoi nisja e luftës rusi-Ukrainë.
Rritja e dytë e çmimeve që nisi nga 25 prilli vjen për shkak të shtrenjtimit të qumështit të deles dhe lopës nga fermerët. Pas 1 prillit furnizimi me qumësht dele nga 95 lekë me TVSH po blihet te fermerët 130 lekë për litër (rritja 36,8%) dhe opës nga 48 lekë po blihet 60 lekë për litër (rritja 25%). Shumë ferma në këtë zonë janë në prag falimenti.
Sipas përfaqësuesit të kompanisë këtë vit po ndihet shumë vështirësia në gjetjen e qumështit nga fermerët, pasi shumë prej tyre po largohen për të punuar në Gjermani, pasi shtrenjtimi i lëndëve ushqyese e ka bërë të paleverdisshme mbajtjen e bagëtive.
Përpunuesit përsërisin kërkesën e tyre për rimbursimin e qumështit për litër të prodhuar nga fermeri dhe jo për krerë bagëtie, siç është parashikuar në skemën kombëtare të bujqësisë pas heqjes të TVSH-së 6% të kreditueshme.
Shtimi i kostove nga shtrenjtimi i qumështit të fermerëve, pas heqjes të skemës të TVSH-së të rimbursueshme nga 1 janari 2021, rritjes të çmimit të energjisë, naftës, plastikës është reflektuar me rritje të çmimit edhe te operatorë të tjerë të tregut. Në mesin e muajit prill një tjetër kompani rriti çmimet e bulmetit, pas rritjes që u bë në muajin mars. Rritja e çmimeve ka nisur që në muajin korrik 2021 kur operatorët filluan të vuanin rritjen e çmimit të plastikës dhe energjisë nga tregu i liberalizuar.