
Pagesat me kartë vijojnë të rriten. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, vlera totale e pagesave më kartë për tremujorin e tretë të vitit arriti në 16.8 miliardë lekë, 16.7% më shumë krahasuar me tremujorin e dytë.
Për të gjithë 9-mujorin 2023, vlera totale e pagesave me kartë arriti në 45.1 miliardë lekë, në rritje me 26.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Gjatë 9-mujorit, numri total i pagesave me kartë arriti në 10.2 milionë, ndërkohë që për të gjithë vitin e kaluar numri i këtyre pagesave kishte qenë afërsisht 10.7 milionë.
Bankierët mendojnë se rritja e fortë e turizmit është një nga faktorët kryesorë që po ndikon në rritjen e shpejtë të pagesave me kartë bankare në ekonominë shqiptare. Të dhënat e INSTAT treguan se numri i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë u rrit me 29% për 9-mujorin e parë të këtij viti.
Rritja e kërkesës së tregut për pagesa me kartë po shoqërohet edhe me zgjerimin e bazës së bizneseve që pranojnë pagesa të tilla dhe besohet se sektori i turizmit i ka dhënë një shtysë të konsiderueshme këtyre pagesave. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, numri i terminaleve POS për pranimin e pagesave me kartë në mesin e këtij viti arriti në 18 570, në me 14.4% që nga fillimi i këtij viti.
Paralelisht, në rritje është edhe numri i kartave të pagesave. Në fund të muajit shtator, numri i kartave aktive arriti në 1.42 milionë, në rritje me 3.5% që nga fillimi i vitit. Produkti dominues ngelen kartat e debitit, që përbëjnë afërsisht 87% të numrit të përgjithshëm të kartave të pagesave.
Numri i kartave të debitit arriti në 1.23 milionë, në rritje 3.8% që prej fillimit të vitit 2023. Karta e debitit është një instrument bazik pagese, i lidhur me llogaritë rrjedhëse të bizneseve dhe individëve. Rritja e numrit të kartave të debitit është sidomos një tregues i rritjes së depërtimit të produkteve dhe shërbimeve bankare në shoqëri. Sipas vlerësimeve më të fundit të Bankës së Shqipërisë, afërsisht 70% e shqiptarëve kanë tashmë një llogari bankare.
Ndërkohë, zhvillime pozitive këtë vit po regjistrohen në segmentin e kartave të kreditit. Në fund të 9-mujorit, numri i kartave aktive të kreditit të sektorit bankar arriti në më shumë se 118 mijë, me një rritje prej 5.4% që nga fillimi i vitit. Ecuria e kartave të kreditit këtë vit po shfaq për herë të parë sinjale rritje të mirëfilltë qysh pas pandemisë. Kartat e kreditit janë një produkt kryesisht i konceptuar për pagesa jo cash, ndaj ecuria e tyre mund të jetë një indikator më domethënës për të treguar orientimin e publikut shqiptar drejt pagesave me kartë.