
Numri i lejeve të ndërtimit rritet në shkallë vendi. Sipas të dhënave të INSTAT për tremujorin e tretë të vitit 2023, numri i lejeve të miratuara është rritur me 34.2%, krahasimisht me të njëjtën periudhë të një viti më parë, dhe në numër janë 361.
Sipërfaqja e lejeve të ndërtimit miratuar për ndërtesa të reja, në tremujorin e këtij viti, është 455.181 m2, nga 418.685 m2 miratuar në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, duke shënuar një rritje prej 8.7%.
Numri i lejeve dominohet nga ndërtimet rezidenciale, kryesisht nga ndërtesa me një kat ose me dy kate. Nga të dhënat, shohim se nga 361 leje gjithsej në tremujorin e tretë të vitit aktual, 289 janë dhënë për ndërtime rezidente dhe 72 janë dhënë për ndërtesa jo rezidente. Mes lejeve për ndërtesa jo rezidente, numrin më të madh e regjistrojnë kategoria “ndërtesa industriale” me 24 të tilla.
INSTAT, përmes publikimit, raporton se qarku me numrin më të madh të lejeve për tremujorin e tretë të vitit 2023 është Durrësi me 125 leje, ndjekur nga qarku i Tiranës ku janë lëshuar 100 leje ndërtimi.
Ndërkohë, në Korçë janë lëshuar 43 leje nga 42 të lëshuara përgjatë 3-mujorit paraardhës. Këto tre qarqe përfaqësojnë 74% të totalit të lejeve të ndërtimit të dhëna në tremujorin e tretë të këtij viti.
Bie numri i lejeve të ndërtimit në Tiranë
Të dhënat e INSTAT bëjnë të ditur se në 9 muajt e 2023, Bashkia e Tiranës ka dhënë leje ndërtimi për një sipërfaqe prej 988 mijë metra katror, me një rënie prej 32% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ky është dhe niveli më i ulët i lejeve për periudhën 2019-2022, me përjashtim të 2020, kur lejet u frenuan për shkak të kufizimeve nga pandemia.
Në janar-shtator të 2022, bashkia dha sipërfaqe rekord për leje ndërtimi në kryeqytet prej 1.46 milionë metra katror, e ndikuar nga tremujori i parë me 800 mijë metra katror.
Këtë vit, në tremujorin e parë lejet ranë ndjeshëm me 75% në raport me të njëjtën periudhë të 2022. Por në tremujorin e dytë dhe të tretë iu rikthyen rritjes, përkatësisht me 18.7% dhe 21%. Vlera e lejeve të dhëna për 9-mujorin në kryeqytet është 35 miliardë lekë.