Rënia e Euros, fasonët në situatë alarmante. Pro-Eksport Albania: Zbatoni paketën për manifakturën, rrezikohen 75 mijë vende pune

24 November 2023, 12:42Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Rënia e Euros, fasonët në situatë alarmante. Pro-Eksport

Shoqata Pro-Eksport Albania përfaqësuese e kompanive fason të tekstileve dhe këpucëve ripërsëritën sërish kërkesën për marrjen e masave nga institucionet shqiptarë, pasi sektori po kalon një situatë shumë alarmante.

Pro-Eksport Albania në një letër drejtuar Ministrit të Financave dhe Ekonomisë Ervin Mete dhe Ministres së Sipërmarrjes Delina Ibrahimaj theksojnë se kursi i këmbimit, rritja e kostove, mungesë e theksuar likuiditeti, amortizimi i impianteve prodhuese e një sërë problematikash të tjera vijojnë të ndikojnë prej muajsh në rënien drastike të porosive dhe eksporteve.

Për shkak të vështirësive sipas shoqatës shumë biznese janë mbyllur dhe të tjerat kanë reduktuar linjat e prodhimit, duke rrezikuar shkurtimin e 75,000 vendeve të punës.

Sipas tyre negativisht ka ndikuar edhe indiferenca e politikave mbështetëse nga qeveria.

Përfaqësuesit e sektorit fason kërkojnë vazhdimin e dialogut për zgjidhjen e situatës si dhe parandalimin e situatave të ngjashme në të ardhmen, me zbatimin e paketës Manifakturë të propozuar nga PEA e cila do të mundësonte orientimin dhe kalimin e sektorit në prodhues konkret Made in Albania.

Për të pestin muaj radhazi eksportet e tekstileve e këpucëve kanë vijuar tendencën tkurrëse. Në tetor  sipas të dhënave eksportet e këtij grupi ranë 11,4% që është rënia më e lartë që nga periudha e pandemisë, kur fabrikat mbyllën punën për shkak të problemeve të krijuara në ekonominë globale nga kufizimet e pandemisë.


Video