Anketimi: Shqiptarët më pesimistë se kurrë për financat në 12 muajt e ardhshëm

8 April 2022, 08:02Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Anketimi: Shqiptarët më pesimistë se kurrë për financat
Foto ilustruese

Shqiptarët janë më pesimistë se kurrë për situatën e tyre të pritshme familjare gjatë 12 muajve në vijim, madje pritshmëritë janë më negative edhe se në prill 2020, kur vendi po vuante pasojat e karantinës, si rrjedhojë e masave për kufizimin e pasojave të pandemisë së Covid-19.

Shtrenjtimi i ndjeshëm i çmimeve në një kohë që të ardhurat e tyre nuk po rriten po bën që gjithnjë e më shumë familjarë të parashikojnë vështirësi me financat e tyre në të ardhmen.

Në anketën e besimit konsumator për muajin mars 2022, të publikuar nga Banka e Shqipërisë, balanaca e përgjigjeve ishte negative prej -12.99, niveli më negativ i regjistruar ndonjëherë, që nga maji i vitit 2016, kur Banka e Shqipërisë publikon gjetjet e sondazhit.

Ky nivel është madje më negativ se maji 2020, (prej -8.2), kur familjet po ndienin pasojat që dha në ekonomi Covid-
19 (shiko grafikun Situata financiare e familjes gjatë dymbëdhjetë muajve të ardhshëm).

Të anketuarve u bëhet pyetja e mëposhtme:

Si prisni të ndryshojë situata financiare në familjen tuaj gjatë 12 muajve të ardhshëm?

1. Do të përmirësohet shumë
2. Do të përmirësohet
3. Nuk do të ndryshojë
4. Do të keqësohet
5. Do të keqësohet shumë
9. Nuk e di

Balanca negative do të thotë që rreth 13% më shumë të anketuar presin që situata financiare në familjen e tyre të përkeqësohet, sesa ata qw presin të përmirësohet.

Të dhënat e anketimit tregojnë se deri në mars 2020, pritshmëritë e familjeve për të ardhmen e tyre përgjithësisht ishin pozitive.

Pas pandemisë, balanca e përgjigjeve u bë negative për herë të parë, duke kulmuar në maj 2020. Me hapjen e ekonomisë, treguesi kaloi gradualisht në pozitiv, duke arritur nivelin më të lartë në shtator 2021.

Por, me rritjen e çmimeve, gjithnjë e më shumë familjarë filluan të ishin pesimistë, ndërsa përkeqësimi ishte shumë i ndjeshëm në mars, që përkon me shtrenjtimin e ndjeshëm të pothuajse çdo produkti.

Anketimi: Shqiptarët më pesimistë se kurrë për financat

Anketimi: Shqiptarët më pesimistë se kurrë për financat

Anketimi: Shqiptarët më pesimistë se kurrë për financat



Video