
Prej vitesh ka një debat të hapur mes ekonomistëve dhe ekspertëve ndërkombëtarë nëse përllogaritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto të një vendi është treguesi i duhur i mirëqënies dhe debati ashpërsohet gjithnjë e më shumë nga të dhënat paradoksale që pasqyrojnë ekonomitë në zhvillim.
Njëra prej tyre është edhe Shqipëria. Sipas të dhënave të INSTAT, PBB-ja u rrit përgjatë 2021 me 8.5 për qind në krahasim me 2020. Rritja ekonomike në këto përmasa teorikisht duhet të përkthehet në rritje e mirëqënies dhe e punësimit cilësor. Por, çfarë ka ndodhur praktikisht?
Megjithëse Shqipëria raportoi rritje ekonomike prej 8.5 për qind, ndër më të lartat në rajon, papunësia u ul në shifra minimale, ndër më të ultat po në krahasim me rajonin. Sipas të dhënave të INSTAT, papunësia në Shqipëria përgjatë 2021 ra nga 11.9 për qind në 11.4 për qind.
Sa për krahasim, Greqia që raportoi një rritje ekonomike prej 8.3 për qind për 2021, regjistroi një ulje papunësia gjashtë herë më të lartë se Shqipëria. Sipas autoriteteve greke, papunësia nga tremujori i parë i 2021 në tremujorin e katërt ra nga 16.4 për qind në 13 për qind.
Kjo tregon se ekonomia shqiptare, e orientuar drejt konsumit dhe me varësi të theksuar nga importi është e përqëndruar në pak duar, ndërsa një faktor tjetër mund të jetë edhe interpretimi i shifrave sipas qëllimeve politike nga ana e Qeverisë, pasi në terma realë rritja ekonomike nuk kap as 5 për qind, nëse kihet parasysh që për shkak të pandemisë ekonomia u tkurr në 2020 me 4 për qind sipas Bankës Botërore.
Kjo e dyta përforcohet nëse krahasohet raporti rritje ekonomike-papunësi mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut. Kështu, Maqedonia e Veriut raportoi rritje ekonomike prej vetëm 4 për qind në vitin 2021, ndërsa papunësia ra në të njëjtat nivele me Shqipërinë, duke u ulur nga 15.7 për qind në 15.2 për qind.
Shifrat sugjerojnë se rritja ekonomike e mbrojtur me aq zell së fundmi edhe nga zv.kryeminstri Arben Ahmetaj dhe për të cilën foli këtë të hënë nga Berati edhe Edi Rama është iluzore. Në shifra ajo mund të jetë reale, por në praktikë, përsa kohë punësimi, që është treguesi kryesor i rritjes ekonomike, nuk e shoqëron me rritje do të thotë se ekonomia ka probleme strukturore dhe është e përqëndruar në pak duar.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.