
Agjencia S&P Global Ratings rriti vlerësimin e borxhit sovran të Shqipërisë në nivelin BB-. Përmirësimi i vlerësimit i detyrohet rimëkëmbjes së shpejtë ekonomike pas pandemisë, forcimit të Lekut në kursin e këmbimit, përmirësimit të bilancit të pagesave dhe një politike fiskale me tipare konsoliduese. Ekspertët mendojnë se përmirësimi i vlerësimit ka të ngjarë të ulë normat e interesit për huamarrjen e vendit në tregjet ndërkombëtare, të zgjerojë bazën e investitorëve në titujt e qeverisë shqiptare dhe të ndikojë pozitivisht në ecurinë e investimeve të huaja.
Agjencia e vlerësimit “S&P Global Ratings” (Standard & Poor’s) në muajin mars përmirësoi për herë të parë vlerësimin afatgjatë të borxhit sovran të Shqipërisë nga B+ në BB-.
Në analizën që argumenton përmirësimin e vlerësimit, S&P sjell si arsye kryesore uljen e borxhit publik dhe përmirësimin e borxhit të jashtëm të ekonomisë.
Agjencia vlerëson se Shqipëria ka treguar në vijimësi aftësinë e saj për të përballuar goditjet, përfshirë tërmetin e vitit 2019, pandeminë e COVID-19 dhe efektet e tërthorta makroekonomike të luftës Rusi-Ukrainë.
Pavarësisht këtyre pengesave, agjencia vlerëson se ekonomia e Shqipërisë është rritur me një mesatare prej 5.8% në vit gjatë tre viteve të fundit.
Agjencia ia atribuon këtë qëndrueshmëri ekonomike, pjesërisht, një rritjeje të konsiderueshme të turizmit, që ndihmoi Shqipërinë të rrisë eksportet e shërbimeve me afro 15% të PBB-së midis viteve 2019 dhe 2023, duke forcuar ndjeshëm pozicionin e saj të jashtëm.
S&P evidenton se autoritetet shqiptare kanë shfaqur angazhimin e tyre për konsolidimin fiskal. Të kombinuara me rritjen ekonomike, këto përpjekje kanë çuar në një reduktim të konsiderueshëm të borxhit publik, nga 74.5% e PBB-së në vitin 2021 në një vlerësim prej 58% në vitin 2023.
Agjencia parashikon se autoritetet do të synojnë të ruajnë këtë qasje të matur ndaj financave publike, në përputhje me Ligjin Organik të Buxhetit, duke siguruar që borxhi publik i Shqipërisë të mbetet i qëndrueshëm, në një mesatare prej rreth 55% të PBB-së gjatë viteve 2024–2027.
Përveç pozitës së përmirësuar fiskale, Standard & Poor’s vlerëson se Shqipëria ka forcuar gjithashtu bilancin e saj të jashtëm. Kjo i atribuohet akumulimit të aseteve publike, kryesisht rezervave valutore dhe të ardhurave në rritje të shërbimeve nga sektori në zhvillim i turizmit.
Agjencia parashikon se perspektivat e rritjes së moderuar të Shqipërisë dhe rezervat relativisht të larta ofrojnë mbrojtje ndaj goditjeve të mundshme të jashtme.
Leku i fortë, rol kyç në uljen e borxhit
Në vlerësimin e borxhit sovran, padyshim që niveli aktual i tij është një faktor i rëndësishëm në përcaktimin e vlerësimit të një vendi. Është e qartë se ulja e borxhit publik me rreth 16.5 pikë përqindje ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto në tre vitet e fundit ka luajtur rol përcaktues në përmirësimin e vlerësimit të Shqipërisë.
Në vitet e fundit, qeveria ka ndërmarrë një cikël të uljes graduale të deficitit buxhetor, me qëllim zhvendosjen e borxhit publik drejt niveleve më të ulëta.
Megjithatë, kontributin kryesor në uljen e borxhit publik e ka dhënë rimëkëmbja e shpejtë e ekonomisë pas pandemisë (e mbështetur nga turizmi dhe pasuritë e paluajtshme), por edhe forcimi i Lekut në kursin e këmbimit.
Mbështetur në të dhënat më të fundit të publikuara nga Ministria e Financave, në fund të vitit 2023, borxhi publik i vendit vlerësohej në nivelin 59.22% (më i lartë se vlerësimi i cituar nga S&P), nga 74.49% që raportohej në vitin 2021.
Nëse shohim rënien e borxhit, sipas rezidencës së kreditorëve, ndikimin kryesor në dy vitet e fundit e ka dhënë ulja e borxhit të jashtëm, që natyrisht është i gjithi në valutë të huaj.
Borxhi i jashtëm në fund të 2023 vlerësohej në 26.86%, nga 36.65% që kishte qenë në fund të vitit 2021.
Ndërkohë, borxhi i brendshëm (që është në masën dërrmuese në monedhën vendase) ka zbritur në 32.36%, nga 37.3% që kishte qenë në fund të 2021. Në një horizont dyvjeçar, borxhi i jashtëm është ulur me pothuajse 10 pikë përqindje ndaj PBB-së, ndërsa borxhi i brendshëm me afërsisht 5 pikë përqindje.
Efektin kryesor në uljen e fortë të borxhit të jashtëm e ka dhënë kursi i këmbimit. Borxhi i jashtëm, i shprehur në vlerën nominale në Euro, është rritur me 6.8% në periudhën 2021-2023.
Por, i shprehur si vlerë nominale në Lekë, stoku i borxhit të brendshëm ka rënë me 8.1%.
Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, në fund të vitit 2023, Euro këmbehej me 103.88 lekë, në rënie me 16.2% krahasuar me fundin e 2021. Euro është monedha kryesore e borxhit të jashtëm, por sidoqoftë tendenca e kursit të këmbimit ka qenë e ngjashme edhe për valutat e tjera kryesore.
Deficiti i jashtëm në minimumin historik
Deficiti i llogarisë korrente preku vlerën më të ulët historike vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky deficit zbriti në vlerën e 191 milionë eurove, në rënie me 78% krahasuar me vitin 2022 dhe me 84% krahasuar me vitin 2021, (vit kur u regjistrua edhe deficititi më i lartë në 12 vitet e fundit).
Në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, deficiti i llogarisë korrente vlerësohet në më pak se 1%, nga 6% që kishte qenë në vitin 2022 dhe 7.7% që kishte qenë në vitin 2021.
Një përmirësim i tillë në terma nominalë i detyrohet sidomos rritjes së fortë të kontributit të sektorit të turizmit në bilancin e pagesave, ndërsa në terma realë duhet shtuar edhe efekti i forcimit të Lekut në kursin e këmbimit (i ndikuar në masën më të madhe pikërisht nga rritja e turizmit dhe përmirësimi i pozicionit të jashtëm të ekonomisë).
Shërbimet dhe në veçanti turizmi dhanë efektin kryesor në ngushtimin historik të deficitit të llogarisë korrente. Llogaria e jashtme në shërbime vitin e kaluar ishte pozitive në vlerën e 3.4 miliardë eurove, në rritje me 43% krahasuar me një vit më parë.
Më shumë se gjysma e suficitit në shërbime erdhi nga turizmi. Statistikat treguan se të ardhurat neto në zërin e udhëtimeve të Bilancit të Pagesave kishin vlerën e 1.84 miliardë eurove, në rritje me 72% krahasuar me vitin 2022 dhe me 255% krahasuar me vitin 2019, përpara pandemisë.
Kontribut gjithashtu në rritje dha edhe fasoneria. Të ardhurat neto nga shërbimet për përpunim të inputeve fizike të zotëruara nga të tjerët arritën në 770 milionë euro, në rritje me pothuajse 19% krahasuar me një vit më parë. Vlera e shtuar e shërbimit të përpunimit vazhdon të jetë në rritje, madje ka arritur nivelin më të lartë historik në vitin 2023.
Kontribut pozitiv në bilancin e llogarisë korrente vazhdojnë të japin edhe remitancat. Vitin e kaluar, dërgesat e emigrantëve arritën vlerën e 929 milionë eurove, në rritje me 11% krahasuar me një vit më parë.
Valët e reja të emigrimit të shqiptarëve në vitet e fundit kanë rimëkëmbur remitancat, duke ndikuar pozitivisht bilancin e llogarisë korrente të vendit. Inflacioni i lartë dhe rënia e kursit të Euros gjatë dy viteve të fundit gjithashtu mund të kenë nxitur rritjen e remitancave, duke ruajtur fuqinë blerëse të familjeve të varura prej tyre.
Shërbimet dhe remitancat kanë kompensuar në një masë të madhe deficitin tregtar në mallra. Sipas Bankës së Shqipërisë, deficiti në mallra vitin e kaluar arriti në më shumë se 4.5 miliardë euro, në rritje me 6% krahasuar me një vit më parë.
Rritja e deficitit në mallra ka qenë ndjeshëm më e ulët në raport me rritjen e suficitit të shërbimeve dhe kjo ka dhënë ndikim pozitiv në bilancin e llogarisë korrente të vendit.
Për më tepër, vlera rekord e Investimeve të Huaja Direkte, prej gati 1.5 miliardë eurosh, e ka tejkaluar me më shumë se shtatë herë vlerën e deficitit të llogarisë korrente. Kjo tregon se flukset valutore hyrëse në ekonomi kanë qenë më të mëdha se ato dalëse.
Përmirësimi i Bilancit të Pagesave ka ndikuar edhe në forcimin rekord të Lekut në kursin e këmbimit. Kursi Euro-Lek shënoi rënie vjetore prej 9% në fund të vitit 2023, ndërsa gjatë sezonit veror, rënia vjetore e kursit arriti në më shumë se 14%, shumë afër kufirit të 100 lekëve.
Rritja ekonomike ngelet në nivele krahasimisht të larta
Në periudhën pas pandemisë, ekonomia shqiptare ka regjistruar rimëkëmbje të shpejtë, të mbështetur sidomos në sektorët e ndërtimit dhe pasurive të paluajtshme dhe të shërbimeve të lidhura me turizmin.
Në vitin 2021, Prodhimi i Brendshëm Bruto regjistroi rritje të lartë me 8.9%, që sidoqoftë i detyrohej në një masë të madhe efektit të bazës krahasuese, pas rënies me 3.3% në vitin pandemik 2020.
Më domethënëse ishte ruajtja e një niveli relativisht të lartë rritjeje, me 4.8%, për vitin 2022. Të dhënat e plota për vitin 2023 nuk janë publikuar ende, por mbështetur në ecurinë e 9-mujorit të parë mund të projektohet një rritje në nivelin e 3.2-3.3%.
Goditja inflacioniste dhe rritja e normave të interesit ka sjellë ngadalësim të rritjes ekonomike, por sidoqoftë ritmet e rritjes së ekonomisë shqiptare ngelen të mira në raport me shumicën e vendeve të Bashkimit Europian dhe të Rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Për shembull, rritja ekonomike mesatare e vendeve të Eurozonës për vitin e kaluar vlerësohet rreth nivelit të 0.5%.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, vlerësohet se vetëm Mali i Zi ka shënuar rritje ekonomike më të lartë, sipër kufirit të 4%. Në Kosovë, vlerësimet janë për rritje të ngjashme me Shqipërisë, rreth nivelit të 3.3%, ndërsa vendet e tjera kanë regjistruar rritje më të ulët të prodhimit kombëtar.
Nga ana tjetër, shumë analistë mendojnë se statistikat zyrtare të vitit 2023 nuk japin një tablo plotësisht të besueshme të rritjes ekonomike të Shqipërisë, për shkak të informalitetit të lartë që ekziston në sektorin e turizmit.
Sistemi i S&P, çfarë tregon shkalla BB
Sistemi i vlerësimit të borxhit sovran nga S&P Global Ratings ka dhjetë vlerësime ose shkallë bazë, që fillojnë nga më i larti, AAA deri te më i ulëti, D. Vlerësimet nga AAA deri në BBB përfshihen në klasifikimin e notës investuese (investment grade).
Një përcaktim i tillë nënkupton se huamarrësi ka minimalisht kapacitete të përshtatshme (BBB) deri në jashtëzakonisht të forta (AAA) për t’iu përgjigjur angazhimeve të marra financiare.
Shkalla BB, ku sapo ka hyrë Shqipëria, klasifikohet si niveli më i lartë i notës spekulative (speculative grade). Sipas përkufizimit të Standard & Poors, një shkallë e tillë nënkupton se subjekti është më pak i britshtë në afat të shkurtër, por përballet me pasiguri të mëdha dhe në vijimësi ndaj kushteve të pafavorshme të biznesit, financiare dhe ekonomike.
Shkalla e mëparshme, B, e përkufizonte Shqipërinë si “më të brishtë ndaj kushteve të pafavorshme të biznesit, financiare dhe ekonomike, por me kapacitete aktuale për të përmbushur angazhimet financiare”. MONITOR