Hekurudha Vorë-Hani i Hotit, 6 kompani të huaja në garë për projektin dhe rishikimin e dizajnit

5 April 2024, 14:47Biznes SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Hekurudha Vorë-Hani i Hotit, 6 kompani të huaja në garë

Gjashtë kompani të huaja janë kandidate për përgatitjen e projektit, rishikimin e dizajnit dhe mbështetjen e prokurimit publik të hekurudhës Vorë–Hani i Hotit. Hekurudha Shqiptare ka shpallur fituesit, që kanë kaluar fazën e parë të tenderit, ndërkohë që referuar listës 3 nga kompanitë janë italiane, 1 greke, 1 daneze dhe 1 turke.

Procedura prokuruese, që zhvillohet përmes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim do të kalojë fazën e dytë, ku do të shpallet fituesi që do të ofrojë konsulencën e kërkuar.

Ndërkohë që, vetëm pas përgatitjes së projektit final projekti mund të tenderohet për nisjen e punimeve në terren. Kosto totale për rehabilitimin e hekurudhës Vorë – Hani i Hotit përllogaritet në 373.15 mln euro, ndërkohë që struktura e financimit për këtë projekt ndahet midis kredive të dhëna nga BERZH dhe Banka Evropiane Investimeve, një granti të Bashkimit Evropian dhe mbulimit të TVSH-së nga buxheti i shtetit. Granti i BE-së kap vlerën e 137.9 mln euro, kredia e BERZH, 98.75 euro, ndërsa kredia e BEI, 120 mln.

Rehabilitimi i hekurdhurës Vorë – Hani i Hotit parashikohet të sjellë një sërë përfitimesh në drejtim të transportit të pasagjerëve, mallrave, por edhe mjedisit. Ndërkaq, linja e re hekurudhore parashikohet të lejojë shpejtësi trenash 100 km/orë. Aktualisht, funksionimi i kësaj linje është ndërprerë për shkak të kushteve dhe mungesës së sigurisë.


Video