BE forcon kushtet për anëtarët e rinj: Deri në 15 vite mbikëqyrje dhe pezullim fondesh nëse mashtrojnë!

8 October 2026, 09:16Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Anëtarët e rinj të Bashkimit Europian mund t’i nënshtrohen një periudhe 15-vjeçare mbikëqyrjeje të posaçme pas anëtarësimit, gjatë së cilës mund të përballen me pezullim fondesh apo edhe të drejtash vote në rast të shkeljeve serioze të shtetit të së drejtës.

Komisioni Europian prezantoi të martën një paketë të re propozimesh që parashikon forcimin e mekanizmave mbrojtës për vendet që do t’i bashkohen BE-së në të ardhmen, si dhe procedura të reja për integrimin gradual të vendeve kandidate.

Masa synon të shmangë situatat kur ndryshimet politike në një shtet të sapoanëtarësuar mund të bllokojnë apo cenojnë procesin vendimmarrës të Bashkimit Europian.

“Jam kritikuar shumë kur thashë për herë të parë se nuk dua të shoh kuaj të rinj trojanë në Bashkimin Europian. Kjo ishte ende para zgjedhjeve në Hungari. Sot mund të them: jo më Viktor Orbán”, deklaroi Komisionerja Europiane për Zgjerimin, Marta Kos.

Mekanizma më të fortë mbrojtës

Në qershor, pesë vende themeluese të BE-së kërkuan forcimin e garancive në traktatet e ardhshme të anëtarësimit, në mënyrë që rastet e regresit demokratik dhe shkeljeve të vlerave europiane të trajtohen më shpejt.

Komisioni po e çon tashmë përpara këtë ide, duke argumentuar se përvoja me Hungarinë ka treguar kufizimet e nenit 7 të Traktatit të BE-së. Ky nen lejon pezullimin e disa të drejtave të një shteti anëtar që shkel vlerat e Bashkimit, por procedura konsiderohet e ngadaltë dhe jo gjithmonë efektive.

Për këtë arsye, propozohet një mekanizëm i ri që do të funksiononte paralelisht me nenin 7. Ai mund të përdorej për të pezulluar fondet europiane dhe, në rastet më të rënda, të drejtën e votës për vendet e reja anëtare që veprojnë kundër shtetit të së drejtës, vlerave të BE-së apo parimit të bashkëpunimit të sinqertë.


Video