
Me eksperimentet diletante dhe provat qesharake që janë bërë me arsimin shqiptar mund të mbushen thasë me shkrime, mund të priten pyje për letër dhe të harxhohen tonelata bojë shkrimi. Në meditim e sipër, njeriu rri e mendon se cili është budallallëku më kampion që është ushtruar ndaj sektorit më të rëndësishëm që quhet ARSIM, në këto vite “demokracie”.
Kë të qash më parë: të qash eksperimentet me altertekstet; të qash kartonat e verdhë; të qash shitblerjen e krediteve; të qash portalet false; të qash zhvlerësimin radikal të figurës së mësuesit; të qash metodologjinë e shpifur demagogjike “me qendër nxënësin” që e zhvesh mësuesin nga çdo veti individuale, duke e kthyer në një qenie të nënfishuar kolektive pa kurrfarë identiteti; të qash injorimin e eksperiencës prej vitesh të arsimtarit; apo të qash orën dyshe të mësimdhënies. Pra detyrimin për të zhvilluar dy tema njërën pas tjetrës.
Njeriu është edhe qenie sociale edhe qenie biologjike. Rjedhimisht është një krijesë që ushqehet. Ushqimi që merr homo sapiensi është fizik dhe metafizik. Ushqimin fizik e merr zakonisht nëpër 3 vaktet e ditës. Kjo dinamikë ka lidhje jo vetëm me ushqimin, por edhe me përtypjen dhe tretjen. Meqenëse edhe filozofët e respektojnë analogjinë si paradigmën më të madhe të jetës, kemi të drejtë ta shtrijmë gjykimin mbi ngjashmërinë. Pra, përveç ushqimit fizik: ujit, bukës, djathit, mishit, groshës, makaronave, hamburgerit etj., njeriu merr edhe ushqimin mendor: matematikën, gjuhën, historinë, gjeografinë, biologjinë, kiminë etj., por edhe ushqimin estetik dhe shpirtëror: artet dhe fenë.
Imagjinoni sikur, për nuk e di se ç’tekë të ndonjë shefi që punon tek agjencia e ushqimit, njerëzit të detyrohen të konsumojnë brenda një vakti drekën edhe darkën bashkë; ose mëngjesin dhe drekën bashkë; ose mëngjesin dhe darkën bashkë. E gjitha kjo, pa marrë parasysh tretjen, asimilimin dhe gjithë procesin metabolik të qenies biologjike njerëzore. E pra kështu i ndodh qenies së gjorë njerëzore kur duam ta ushqejmë brenda një ore me Balzakun dhe Floberin; ose me Floberin dhe Dostojevskin: ose me “Vëllezërit Karamazov” dhe testimin e tremujorit (bakllava dhe groshë së bashku); ose me lidhëzat nënrenditëse dhe tekstin argumentues etj. etj.
Ajo metoda “me qendër nxënësin”, së cilës diletantët konformistë me doktoratura false (të blera sa frëngu pulën) i janë qepur keqas, aplikohet në klasë përmes praktikës së leximit të orientuar, që do të thotë ta marrësh gjithë informacionin nga leximi në tekst i mësimit të ri brenda klasës. Në këtë rast punën e mësuesit mund ta bëjë edhe roja i shkollës. Por duke pasur parasysh se njeriu mban mend vetëm 10% të asaj që lexon, 20% të asaj që dëgjon, 30% të asaj që shikon dhe 50% të asaj që shikon e dëgjon dhe faktin që nxënësi nuk haset kurrë më me atë temë (përveç leximit të sipërfaqshëm në klasë), të ndodh që të shkosh mësues rishtar në një klasë shumë të mirë, me nxënës të mrekullueshëm, të urtë, inteligjentë e plot aspirata kulturore (që s’i ke parë kurrë) dhe, pasi ke ndjekur ecurinë e planit mësimor dhe e di që sapo kanë përfunduar De Radën t’i pyesësh: Keni dëgjuar për De Radën? Asnjë reagim. A ka qenë De Rada shqiptar? Asnjë reagim? Nga ka qenë De Rada? Asnjë reagim. A ka qenë De Rada kinez? Asnjë reagim.
Pastaj është më se absurde t’u bësh pyetje të mëtejshme këtyre të rinjve të mrekullueshëm- viktima të metodave demagogjike dhe thasëve me dosje që mësuesit e shkretë, të viktimizuar për vete, mbartin çdo ditë pa bereqet nga shtëpia në shkollë e anasjelltas, bash si “Tartarini i Taraskonit” i Alfons Dodesë, personazhi butaforik, një zëvendës- donkishot i kohëve moderne, i cili ishte armatosur deri në dhëmbë për të vrarë luanë në xhunglat e Afrikës Veriore.