Si për njerëzit ashtu edhe për shoqërinë, të ecurit para, përtej të qënit dëshirë, është nevojë. E jo rrallë kjo kërkon mençurinë individuale e kolektive për të pranuar se disa sfida kanë perënduar në një tjetër kohë dhe nuk mund të luftohen nga e para, me shpresën se përfundimi do jetë tjetërsoj.
Pa dashur të spekuloj mbi të drejtën e çdokujt për të korrigjuar çka nuk i shkon përshtat, situata aktuale politike në vend mund të përkthehet fort mirë si përpjekja e dikujt për të rishkruar të shkuarën e vet, a si do ta përshkruante Herakliti, "për t'u larë dy herë në të njëjtin lumë".
Në pak muaj, ish kryeministri Berisha ia doli të jetë sërish në krye të Partisë Demokratike, jo më si lideri 'në hije' i saj por si kryetari de facto me një komision 'në hije'. Me ikjen e detyrueshme të pasardhësit të tij politik dhe gjykimit pro legjitimitetit të Rithemelimit, z. Berisha e mori edhe vulën, dhe logon dhe selinë demokrate. Ndërtesën që, pas flamujve blu, trishtueshëm dhe përçudnueshëm dëshmon përmasat e betejës brenda llojit për kolltuk.
Edhe kryetarët e parti-sytheve a degëthara, që derivuan hatërmbetur pas dorëheqjes së tij, para disavitesh, i buzëqeshin dhe i japin sinjale mbështetjeje dhe bashkimi nën logon e dikurshme.
Madje me z. Berisha është strehuar në një shtëpi edhe LSI, forca politike e krijuar nga presidenti Meta, i cili ka premtuar të kthehet në politikë aktive sapo t'i përfundojë mandati presidencial.
Me fjalë të tjera, ish-kryeministri Berisha është në një proces, dukshëm, të suksesshëm për të pasur me vete të gjithë bashkëpunëtorët dhe aleatët e dikurshëm, edhe ata që në 2013-ën i kthyen shpinën dhe garuan (e fituan) kundër tij. Në mënyrë figurative, po rreshtohet me të njëjtën shpurë, si dikur, kundër kryeministrit Rama dhe forcës politike që qeveris.
Ndoshta thjesht se nuk ka mjaftueshëm kohë, ai kërkon një përballje votash të përshpejtuar. E ndonëse beteja elektorale që do tregojë, nëse rinovimi i brendshëm i PD po bind duhet të jenë zgjedhjet lokale të vitit të ardhshëm, z. Berisha ka premtuar, se përmes protestave, do arrijë që të çojë Shqipërinë në zgjedhje të përgjithshme, para 2025-ës.
Nga ky këndvështrim, përpjekja e z. Berisha fillimisht për të rithemeluar, e tash për të rindërtuar me 'tulla' e strategji të vjetra një forcë a koalicion politik si alternativë qeverisëse e qenësishme duket e mjerë.
Jo thjesht se kjo përpjekje ka qëlluar të ndërmerret pas etiketimit të tij jo fort të volitshëm përtej oqeanit. As sepse zgjedhja e tij e parë e pasardhësit politik nuk u karakterizua nga largpamësia dhe shumë shpejt mund t'i duhet ta ndërmarrë prapë një hap të tillë, nëse partinë nuk e sheh si pronë vetjake që mund të ekzistojë veçse sa do të jetë ai në politikë.
Ajo që e bën përpjekjen e z.Berisha të pafat është këmbëngulja për të riluftuar e, këtë herë, për të fituar një betejë të humbur një dekadë më parë.
Si duket, në kërkim të pushtetit e shkëlqimit të vjetër, z. Berisha po mundohet të ribëjë a çbëjë të shkuarën e vet dhe partisë së tij me po të njëjtët asete, të njëjtët individë dhe, mbi të gjitha, të njëjtën mënyrë e retorikë. Në kaq vite, veç rrudhave e thinjave që do duhej të peshonin me urtësi e pjekuri, gjithë çka ndryshuar në kampin e tij është një parashtesë "ri-" që përdoret me rigorizitet para çdo nisme rrezeshkurtër.
E ndonëse kohët e fundit po qeverisemi shtrenjtë e jo rrallë me amatorinë që karakterizon rishtarët, përsëritja e historive të vjetëruara mbi kurrizin tonë nuk përbën kurrfarë risie.