“Srebrenica”: Berisha donte “Jo”-në apo “Po”-në e kundërshtarit? Përgjigja që sqaron gjithçka

13 May 2022, 13:56Pikëpamje SHKRUAR NGA ERMIR HOXHA
“Srebrenica”: Berisha donte “Jo”-në apo
Sali Berisha duke fotografuar grupin e PS gjatë votimit të rezolutës

Nëse do i qasesh në kontekst dhe jo në tekst rastit “Srebrenica” në parlamentin shqiptar, mosvotimit nga ana e mazhorancës së një rezolute “jashtë kohës” të një dysheje që s’i ka mbetur asnjë sens politik, Sali Berisha – Tritan Shehu, irritimi publik duhej të qe me këta të dy e jo me shumicën që i tha “Jo”.

Se mjaft pyetja spekullative që duhet bërë në këtë rast: Berisha do dëshironte votën “pro” apo atë “kundër”?

Përgjigja nuk ka dilema: priste votën “kundër”, siç ndodhi. Nëse vetë Berisha do kish patur dilema mbi atë që mazhoranca do votonte kështu apo ashtu, ai nuk do e kishte paraqitur kurrë këtë rezolutë. Kaq u duhet të mendojnë të gjithë ata mendjepërtacë të irrituar prej orësh në rrjete, që më e pakta kanë mungesë aftësia lexuese edhe mes rreshtash të një zhvillimu të caktuar politik. Çështja komplikohet nga Berisha dhe jo nga “Jo”-ja e mazhorancës për Srebrenicën.

Irritimi do qe i përligjur nëse “Jo”-ja do qe për një rezolutë që vinte në rrethana me debat për Srebrenicën, qoftë dhe në ndonjë përvjetor, e po ashtu të kishte për autorësi individë me integritet të qartë politik, të provuar në vite si mbrojtës të kësaj kauze.

Në afat të shkurtër, Berisha e arriti një sukses nga blofi i tij. Mjaft të shohësh reagimet, të asaj skote njerëzore që nuk ka djallëzinë tipike të Berishës, por ka trashësinë e tij.

Berisha, ndër shumë handikape politike, ka dhe një mungesë elegance të lindur për shahun politik. Niveli fshataresk në të ushtruarit e politikës, ka qenë, sot e çdo kohë, qyshse u shfaq në këtë domen të jetës publike, në nivel proverbial. Pos energjisë së pashtershme për të bërë politikë, politikë për hir të politikës dhe jo për hir të ndonjë ideje a vizioni, të cilin s’e ka patur kurrë, ai është dhe një i paaftë monumental për t’u reformuar, pra për të dalë jashtë gardhit fshatar ku u lind e u rrit dhe për t’u qytetëruar, në kuptimin e një finese në mendim, por makar dhe në sjellje.

Njihet ky si fenomen karaterial, me njerëz që paçka avancimit shkollaresk apo në karrierë, një pjesë e tyre, ajo më e qenësishmja, mbetet e atje, e palëvizshme, në katundin ku iu ra kryet.

Ndaj dhe provincialiteti dhe trashësia, paçka kollarisjes apo titujve, u lexohet në ballë. Nuk e lexojnë këtë vetëm ata që këto orë po u mungon aftësia minimale për të ndarë se “Jo” ndaj Srebrenicës me “Jo”-në për autorin e rezolutës.


Video