Përgjigja e rrufeshme që Arben Kraja i ktheu Edi Ramës, pas kërkesës së këtij të fundit për të hetuar Sali Berishën dhe Ilir Metën të krijon idenë se kreu i Prokurorisë së Posaçme është plotësisht i sigurt te ato që thotë.
“Nuk kam asnjë koment, sepse ne punojmë me kallëzime dhe jo me deklarata politike“, tha kreu i Prokurorisë së Posaçme, Arben Kraja. Por, më shumë se e vërtetë kjo është alibia e ngritur prej tij për të kundërshtuar kritikat e Ramës se pse nuk po hetohet Berisha e Meta.
Alibia është e dobët dhe që vetë SPAK-u, që Arben Kraja ka drejtuar për thuajse tre vite e ka rrëzuar në të paktën 3 raste. Sipas kësaj deklarate, SPAK mund të hetojë vetëm me kallëzimet që i mbërrijnë në derë dhe vetë nuk mund të hetojë me nismën e vet.
Rasti i parë që rrëzon alibinë e Arben Krajës mbërrin që nga janari i 2020-s, kur ende nuk kishte mbushur muajin që ishte vënë në funksion. Pas publikimit të një video në të cilën pretendohej se shfaqjet ish-kreu i Bashkisë Bulqizë, Lefter Alla duke konsumuar drogë, Prokuroria e Posaçme njoftoi fillimin e hetimeve kryesisht mbi akuzat e posedimit të lëndëve narkotike.
Një muaj më vonë, pra në shkurt të 2020-s, SPAK nisi hetimet po pa pasur nevojë për kallëzim nga askush për një tender me vlerë 15 mln euro për Porto Romanon.
Në shkurt të 2021 është rasti tjetër kur SPAK nisi hetime pa pasur nevojë për kallëzim, këtë herë pas publikimit në media të disa përgjimeve të Antimafias Italiane, ku eksponentë të “Ndragheta-s” pretendonin se kishin kontakte me pushtetarë të niveleve më të larta në Shqipëri. Fill pas këtyre publikimeve, Arben Kraja udhëtoi në drejtim të Italisë dhe kur u kthye u njoftua nisja e hetimeve kryesisht me nismën e vetë SPAK-ut.
Për të ardhur te një rast më i freskët, i shkurtit të këtij viti kur SPAK njoftoi nisjen e hetimeve për një tender të Fondit Shqiptar të Zhvillimit me vlerë 400 mijë euro për krijimin e menysë së 100 fshatrave. Fituesi i tenderit ishte shpallur kuzhinieri i restorantit të djalit të kreut të FSHZh-së. SPAK nisi hetimet pa kallëzim, ndërsa FSHZh u tërhoq nga nënshkrimi i kontratës me fituesin.
E përbashkëta është se në të gjitha rastet, SPAK është vënë vetë në lëvizje, pa kallëzime, por me indiciet e marra nga denoncimet e medieve dhe publikut. A s’mund ta bëjë të njëjtën gjë për Sali Berishën dhe Ilir Metën? Denoncime e dyshime ndaj të dyve ka plot.
Për Berishën dosja është gati dhe është hartuar nga përtej Atlantikut. A s’mjafton shpallja ‘non grata’ për korrupsion madhor për ta hetuar? Nëse jo, atëherë ka dosje të tjera që asnjëherë nuk janë hetuar thelbësisht, që nga Gërdeci, 21 janari, (këtu mund të marrë edhe dëshminë e Lulzim Bashës dhe deklaratave që ai ka bërë këto muaj), privatizimi i kompleksit Partizani, batërdia me lejet për hidrocentrale pasi Berisha kishte humbur zgjedhjet në 2013-n dhe të tjera si këto.
Për Berishën mund të marrë dëshmitar edhe vetë Ramën. Ky i fundit ka shprehur gatishmërinë që të shkojë të dëshmojë se çfarë di për korrupsionin e Sali Berishës dhe nga deklaratat që ka bërë, ka nënkuptuar se jo të gjitha i ka thënë publikisht.
Për më tepër, asnjëra prej këtyre dosjeve nuk është hetuar e plotë. Nëse SPAK vendos ta bëjë një gjë të tillë në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, ndoshta mes të pandehurve del emri i Sali Berishës dhe familjarëve të tij, ashtu sikundër janë akuzuar për vite me radhë tashmë.
Edhe për Ilir Metën vlen e njëjta gjë. Ai mund të hetohet për grabitjen e floririt në Kërrabë, që ndodhi kur ai ishte Kryeministër. Në këtë rast dëshmitar mund të merret Sali Berisha, sepse ka qenë i pari që e ka akuzuar për zhdukjen e 200 e ca kilogramëve flori duke i vënë edhe nofkën “Ilir Floriri”.
Thënë të gjitha këto, më shumë se sa proceduriale, ligjore apo mungesë provash, mos nisja e hetimeve për Sali Berishën dhe Ilir Metën është çështje vullneti, që nuk mund ta mbulojë asnjë formë alibie.
Prandaj, nëse Arben Kraja nuk është në gjendje që të bëjë atë për të cilën është ngritur SPAK, pra të hetojë e ndëshkojë ‘peshqit e mëdhenj’ të korrupsionit, ndoshta ka ardhur koha që të hapë krahun si drejtues, e ndoshta edhe si prokuror i posaçëm.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.