Nga Erion HABILAJ
Në më tepër se dy dekada karrierë në politikë, Edi Rama ka qenë më shumë i përkëdheluri se sa i sulmuari i medias. Në vitet e para, si ministër Kulture e më pas si kryetar i Bashkisë ai shfrytëzoi me mjeshtëri etjen e publikut për të ndjekur një emër të ri në politikë, jashtë modelit të lodhshëm që kishin ngritur dyshja Nano-Berisha.
Por, sa më shumë Rama ngjiste shkallët në politikë, aq më të mëdha bëheshin përpjekjet e tij për ta kontrolluar median dhe krijuar imazhin e një politikani të pastër e të kulluar. Si kryetar i Partisë Socialiste dhe si kryetar i Bashkisë së Tiranës ai i konsolidoi raportet me mediat, duke u siguruar që çdo reagim, deklaratë apo njoftim të gjente hapësirë në edicionet qendrore të lajmeve dhe atyre pak faqeve informative që funksiononin në ato vite.
Një kontribut në forcimin e pozitave të Edi Ramës me pronarët dhe drejtuesit e mediave e dha edhe Sali Berisha me qëndrimet e tij të ashpra e armiqësore ndaj mediave që i publikonin skandalet që prodhonte qeverisja e tij.
Edhe falë mbështetjes që siguroi në media, siç përflitet herë me dhurata, herë me gota vere dhe herë me leje ndërtimi pallatesh, Edi Rama erdhi në pushtet në 2013-n. Facebook, rrjetet e tjera sociale dhe shtimi i portaleve informative e kishin bërë edhe më të vështirë kontrollin mbi mediat.
Si kundërpërgjigje, Rama vendos që të krijojë ERTV-në e tij. Tashmë për të komunikuar me qytetarët nuk kishte më nevojë për ndërmjetës. Kjo ndoshta uli ‘pazarin’ e u hoqi përfitimet pronarëve të medias e rrjedhimisht i shtoi kundërshtarët.
Megjithatë, me pushtetin në dorë dhe fuqinë e vendimmarrjes Rama rriti e forcoi rrjetin e mbështetjes mes pronarëve e drejtuesve të mediave me parimin ‘më nëm, të të jap’. Ata që nuk u bënë pjesë u mbyllën dhe më pas shteti shqiptar u gjobit me 100 mln euro në gjykatat ndërkombëtare të arbitrazhit.
Kjo ishte faza e parë e marrëdhënies së Ramës në pushtet me median. Faza e dytë ishte kontrolli i plotë, përcaktimi i vijës editoriale e deri te emërimi e shkarkimi i drejtorëve të informacionit, kryeredaktorëve e gazetarëve me një SMS.
Me median në krah dhe opozitën e pafuqishme, Rama siguroi mandatin e dytë në 2017-n, këtë herë i vetëm. I mbijetoi krizës politike të 2019-s, mori të gjitha bashkitë dhe fitoi edhe në 2021, duke u bërë njeriu më i pushtetshëm në 3 dekada tranzicion në Shqipëri.
Çuditërisht, sa më i pushtetshëm bëhej Rama, aq më servile bëheshin mediat. Nëse në hapat e para të karrierës politike të Ramës ato e kontrollonin atë, tashmë ai i kontrollonte ato. Kush dilte nga rreshti humbte ‘privilegjet’ që i jepte pushteti, përfshirë këtu koncesionet, tenderat e deri te reklamat shtetërore.
Në gjithë këto vite, Rama ka shfrytëzuar me mjeshtëri ‘makutërinë’ e pjesës së pronarëve të medias, që shtetin e kanë parë e shohin si lopë për të mjelë dhe median si mjet presioni për të siguruar që të kenë pjesën e tyre në tortën e pushtetit.
Askush më shumë se Rama nuk ka zënë hapësira në emisione, lajme e portale. Aty është përshkruar si artist, si piktor me ekspozita të suksesshme në Berlin, si udhëheqës vendor, rajonal e global. Por, pak është përshkruar si Kryeministër dhe mbi të gjitha ka qenë burimi informacioni të mirëqenë, pavarësisht se mund të ndodhë që protestat në Algjeri mund të paraqiten si shpërndarje e dhunshme e protestuesve kundër masave kufizuese të Covid-it në Spanjë.
Megjithatë, kësaj marrëdhënie duket se po i vjen fundi, ndoshta jo më shumë për faktin se media u ndërgjegjësua dhe tani po mbron interesin e publikut, por thjesht se nuk ka vëmendjen e Edi Ramës, apo se ky i fundit s’ka më mundësi që të ushqejë orekset e pronarëve të tyre.
Kjo e fundit mund të shpjegojë sulmet e Ramës fillimisht ndaj Ora News, më pas ndaj Top Channel dhe tani ndaj News 24. Sulmet nga njeriu i cili prej kohës kur ishte kryetar bashkie ka ngritur me mediat marrëdhënien ‘nëm-na’, i ka dhënë leje ndërtimi, koncesione, falur gjoba, madje pi edhe verë me ta kur u shkon në emisione, u cakton vijën editoriale, iu vendos kryeredaktorët e drejtorët mund të duken të habitshme.
Por më i habitshëm është fakti që pasi dështoi që të kalonte ashtu siç e kishte menduar ligjin antishpifje, Rama tani po kërkon ndihmën e medias, që kjo e fundit të shkëputet nga ‘gjobëvenia’, pavarësisht se kjo që Rama po provon sot nga mediat është gjella e gatuar prej tij vetë.
Sigurisht, mediat kanë problemet e mëkatet e tyre, madje të mëdha duke e përdorur influencën për interesa të ngushta të pronarëve të tyre dhe shpesh interesi i publikut është i fundit që kanë në mendje. Por, edhe për vetë mediat është vonë që të kërkojë të drejtat, që gradualisht vetë ja ka dorëzuar Ramës ndër vite.
Prandaj, përplasja e fundit mes Ramës dhe mediave të Irfan Hysenbelliut nuk mund të jetë as sulm ndaj medias dhe as sulm ndaj Qeverisë. Ajo më shumë duket një hatërmbetje mes aksionerësh, siç praktikisht e ka përfshirë Edi Rama veten me pronarët e mediave.
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.