Zbardhet atentati me dy të plagosur në Don Bosko, shpallet në kërkim njëri prej autorëve

25 October 2024, 11:34Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Zbardhet atentati me dy të plagosur në Don Bosko, shpallet në
Kastriot Elezi dhe Renato Metushi në Spitalin e Traumës

Policia e Tiranës zbardh plagosjen e 3 shtatorit në Don Bosko ku mbetën të plagosur Kastriot Elezaj dhe Renaldo Metushi.

Është shpallur në kërkim me vendim gjykate "arrest në burg" Denis Tahiri, njëri prej autorëve, i konfirmuar me prova.

Kastriot Elezaj 45 vjeç dhe Renaldo Metushi 22 vjeç po pinin kafe në verandën e një lokali më 3 shtator 2024 në Don Bosko, në afërsi të OSHEE-së kur nga një makinë është qëlluar drejt tyre. 45 vjeçari u plagos në krah dhe në mushkëri, ndërsa Metushi 22 vjeçar u plagos në këmbë.

Autorët që mendohet se ishin 3, në pak sekonda shtinë 7 plumba, dhe u larguan me shpejtësi duke djegur makinën e krimit. Brenda saj u gjet pistoleta me kalibër të vogël 7.65 mm, e pajisur me silenciator, që u përdor në krim.

Automjeti tip “Golf 5” që u përdor në atentat ka hyrë në Shqipëri përmes pikës kufitare të Morinës në Kukës. Shkaku i këtij atentati akoma mbetet i paqartë, por e shkuara kriminale e njërit prej të plagosurve, Kastriot Elezaj, i dënuar më për prostitucion në Itali, vijon të jetë pistë kryesore për hetuesit.

Njoftimi i Policisë

Në vijim të njoftimit për ngjarjen e datës 03.09.2024, në një lokal afër xhamisë në Don Bosko, ku u plagosën me armë zjarri shtetasit K. E. dhe R. M., ju informojmë si më poshtë:

Për hetimin e kësaj ngjarjeje kriminale, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka ngritur menjëherë një grup të posaçëm hetimor, i cili në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka kryer në vijimësi të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me iniciativë apo të urdhëruara nga prokurori.

Në vijim të kryerjes së veprimeve të thelluara hetimore, shfrytëzimit të inteligjencës policore, analizimit, vlerësimit të rrethanave dhe fakteve, dhe provave shkresore, grupi i posaçëm hetimor, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ka bërë të mundur dokumentimin ligjor të implikimit të njërit prej autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje.

Në vlerësim të provave dhe fakteve, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me vendimin nr. 2706, datë 22.10.2024, ka vendosur caktimin e masës së sigurimit personal "Arrest në burg", në mungesë, ndaj shtetasit D. T., 23 vjeç, banues në Kamëz, i dyshuar për kryerjen e veprave penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese" kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë, dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", parashikuara nga nenet 79, dh/ 22/ 25, dhe 278/1 të Kodit Penal.

Vazhdojnë hetimet për identifikimin e shtetasve të tjerë të implikuar.


Video