Ylli Brahimi ende nuk e ka dhënë dëshminë e tij mbi atentatin e mbrëmjes së 22 Korrikut në Milot, ku ai mbeti i plagosur me breshëri kallashnikovi, ndërsa shoku i tij, Klisman Preçi ndërroi jetë.
46-vjeçari po merr trajtim në Spitalin e Traumës, dhe sipas burime nga bluzat e bardha, vijon të jetë në gjendje të rëndë shëndetësore. Mësohet se dy oficerë të krimeve të rënda kanë tentuar ta marrin në pyetje, por për shkak të komplikacioneve, nuk ka qenë në gjendje të dëshmojë.
Burime nga grupi i hetimit bëjnë me dije se deri tani, shënjestër e atentatit ka qenë Ylli Brahimi Grupi hetimor ka rindërtuar edhe një herë dinamikën se si ndodhi krimi, duke kërkuar për prova të reja në vendngjarje që mund t’i çojë ata drejti identifikimit të atentatorëve.
Ngjarja e rëndë ndodhi në oborrin e pallatit ku banonin Brahimi dhe Preçi. Autorët i pritën për 10 minuta në rrugicën përballë dhe sapo mjeti i blinduar i objektivëve të tyre mbërriti, agresorët u afruan dhe qëlluan me breshëri plumbash. Drejtues i mjetit ishte i riu Klisman Preçi, ndërsa pasagjer Ylli Brahimi.
Atentatorët u afruan armët tek dritaret e mjetit dhe plumbat depërtuan pasi ishin blindshpues. E gjithë skema e krimit ka ndodhur në rreth 3 minuta. Autorët janë larguar me një mjet tip “Audi”, që u gjet i djegur në Gramëz të Krujës, bashkë me dy armë kallashnikovë.