Kur janë mbushur 24 orë nga vrasja e Artan Myrtaj ose siç njihej ndryshe në Sarandë si "Tani i Rruzhdiut", policia kriminale e Sarandës, nuk ka qënë në gjëndje të identifikojë dhe lokalizojë autorët e kësaj vrasje që tronditi qytetin bregdetar.
Vrasja e Myrtaj, është vijueshmëri e sulmeve me armë që janë kryer në ketë qytet dhe ka të njëjtën dinamikë krimi me atentatin e dështuar ndaj Thimio Rubatit, ngjarje kjo e rregjistruar në qëndër të Sarandës në muajin Korrik 2026.
Edhe në rastin Rubatit por dhe në rastin e Myrtaj, autorët kanë qënë të hipur mbi një motor dhe të mbuluar me skafandra.
Pas atentatit ndaj Rubatit, autorët janë larguar duke braktisur motorin në një gji detar në zonën e quajtur "Kasollet".
Besohet se më pas ata janë larguar me një mjet lundrues, duke mos u mundur të identifikohen sot e kësaj dite nga policia.
Kurse për ngjarjen e vrasjes së Myrtaj, ende nuk është zbuluar motori, pavarësisht se policia ka kryer kontrolle në Sarandë, Ksamil dhe Delvinë.
Situata në qytetin e Sarandës, gjatë këtij sezoni veror ka qënë tepër e rëndë, për shkak të disa ngjarjeve kriminale, ku kanë mbetur disa persona të vrarë.
Rasti më i rëndë ishte ai i vrasjes së turistit portugez, në ambjentet e lokalit "Principotes" në Ksamil, duke pasuar me ngjarjen e djeshme atë të vrasjes së Artan Myrtaj.
Myrtaj u ekzekutua në qëndër të qytetit, vetëm 67 metra larg komisariatit të Sarandës. Trupi i tij qëndroi rreth 1 orë në mes të rrugës, duke u parë nga shumë kalimtarë të rastit.
Ndërkohë në vendgjarje më parë ka shkuar nëna e viktimës Artan Myrtaj, se sa shefat e policisë së Sarandës.
Krimi i rëndë, lidhet me përplasjen e grupit të Ervis Lamit nga Kamza dhe grupit të Sarandës që drejtohej nga Ramdan Zoto alias Canaj, i cili aktualisht ndodhet në burg.
Artan Myrtaj, 42-vjeçari që u ekzekutua në mes të qytetit të Sarandës paraditen e së dielës, del i skeduar edhe në një ngjarje tjetër kriminale.
Më 18 korrik 2025, ai rezulton i arrestuar si i përfshirë në plagosjen e 2 personave, Gëzim Hajdaraj e Ernest Lame, pas një sherri për tokat në bregdet.
Vetëm dy ditë pas plagosjes, ai u arrestua nga Policia e Sarandës i akuzuar për veprën penale “përkrahje e autorit të krimit”.
Por pas disa muaj qëndrim në burg ai është liruar, duke dalë i lirë rrugëve të Sarandës.