Për vrasjen makabre të Liridona Ademajt në Kosovë, ngjarje për të cilën akuzohet bashkëshorti si organizator, kanë qarkulluar disa teori në media, por zyrtarisht nuk ka asnjë pistë nga Prokuroria e Prishtinës.
Avokati nga Kosova, Skënder Musa, tha sonte se dy motivet që qarkullojnë, ai i një marrëdhënie homoseksuale dhe i siguracionit të jetës në Suedi, nuk qëndrojnë.
Sipas tij, autori i dyshuar Naim Murseli mund ta ketë porositur krimin për të fshehur një tjetër krim të rëndë.
Avokati dyshon që Murseli mund të jetë i përfshirë në një ngjarje kriminale në Suedi, e për këtë, autoritetet kosovare do të duhet të bashkëpunojnë me autoritetet në Suedi.
“Motivi, nuk qëndrojnë këto. Sa i përket motivit seksual apo moral, në mënyrë absolute nuk qëndron. Motivi i xhelozisë nuk lejon përgatitje, është motiv në gjaknxehtësi e sipër. Nuk qëndron dhe motivi i siguracionit. Vepra penale e vrasjes së rëndë kryehet edhe me qëllim të fshehjes së një vepre penale.
Duke analizuar personalitetin e të dyshuarit, dëshirën e flaktë të tij për t’u shoqëruar me njerëz të famshëm, është një personalitet që ka pasur dëshirë të ketë famë. Në rrugën e tij ky person ka mundur të jetë i përfshirë në ndonjë krim të rëndë, në Suedi dyshoj. Krim që e ka ditur bashkëshortja.
Prokuroria e Kosovës duhet të kërkojë ndihmë edhe nga institucionet e Suedisë. Suedia është një shtet që shumë e ka rrugën e rëndë të bashkëpunimit ndërkombëtar të veprave penale. Mirëpo duke pasur parasysh që gjithë bizneset e tij kanë qenë të orientuara në Suedi, të vinte të jetonte në Prishtinë kur Kosova është në krizë ekonomike, le të dyshojë që ky person ka një të kaluar kriminale atje. Prokuroria duhet të orientohet edhe në atë drejtim. Nuk përjashtohet mundësia që të ketë të kaluar kriminale edhe në Kosovë”, u shpreh avokati Musa nw “Opinion”.
Ndërsa gazetarja Klodiana Lala u shpreh se Naim Murseli është i përfshirë në histori tenderash dhe kjo mund të jetë arsyeja e cila mund ta ketë çuar në vrasjen e bashkëshortes së tij për shkak se ajo mund të ketë zbuluar informacione lidhur me këto aktivitete.
“Motivi i parë, prokurorja është treguar shumë e kujdesshme për të mos dhënë një motiv zyrtar sepse aty ka pasur edhe monitorues për të dalë lajmi dhe për tu devijuar hetimi. Çfarë unë kam konstatuar është që e ndjera ka pasur informacione që mund të zbulonin një gjë më të madhe që mund të cënonin shumë interesa.
Naim Murseli është i përfshirë në histori tenderash, kishte një aktivitet të pahetuar në Suedi. Nuk dua t’ju futem fare historive intime. Nëse janë të tilla atë do ta thotë prokuroria.Të gjitha pistat janë të hapura, ama ka një gjë…. Edhe në këtë rast, Liridona ishte shumë e tërhequr dhe nuk kishte folur për problematika. Kam komunikuar më shumë njerëz të cilët e kanë njohur Naim Murselin me gazetarë, funksionarë të ndryshëm në Kosovë për të kuptuar më tej. Naim Murseli nuk erdhi nga hiçi u çmend dhe vrau bashkëshorten, por ai mbarte ngarkesa me vete. Se të çfarë natyre ishin këto ngarkese prokuroria duhet të hetojë. Familja vetëm në këtë pikë dyshojnë për siguracionin. Madje ata nuk kishin dijeni edhe për divorcin”, tha Lala.
Ndër të tjera gjatë fjalës së saj gazetarja është shprehur se mendon që kjo ngjarje nuk është një ngjarje e planifikuar për një kohë të gjatë, por është një krim në nxitim e sipër.
Unë nuk e shikoj që është një krim i planifikuar për një kohë shumë të gjatë, por mendoj që është një krim në nxitim e sipër ku kanë lënë prova shumë të forta rrugës.
Nuk është që ata e bën marrëveshjen aty për aty, ata kanë punuar një javë. Ai krim është planifikuar për atë kohën e shkurtër, por kanë nxituar për shkak të motivit. Vendi i ngjarjes është zonë rezidenciale dhe ishte e mbuluar me kamera sigurie. Ata kanë pasur një nxitim për ta vënë në jetë planin e tyre. Po ta kenë të planifikuar do kishin zgjedhur një zonë tjetër”.