
Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi ka lajmëruar përmes një postimi në rrjetet sociale sot në 3 gusht se zjarri në zonën e Finiqit është vendosur nën kontroll.
Nufi shprehet se kjo ka ndodhur falë punës së jashtëzakonshme të Forcave Ajrore, me ndërhyrjen e 3 helikopterëve njëkohësisht dhe të gjithë efektivëve të angazhuar në izolimin dhe shuarjen e zjarrit në territorin e Bashkive Delvinë dhe Finiq. Ministri shprehet se misioni i përbashkët i institucioneve shtetërore në këto raste është shpëtimi i jetës së qytetarëve.
“Punë e jashtëzakonshme e pilotëve të Forcave Ajrore me ndërhyrjen e 3 helikopterëve njëkohësisht dhe të gjithë efektivëve të angazhuar në izolimin dhe shuarjen e zjarrit në territorin e bashkive Delvinë dhe Finiq.
Në koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe punës së palodhur të Forcave të Armatosura, si dhe bashkërendimit të strukturave vendore dhe qendrore, situata është vënë nën kontroll.
Çdo ndërhyrje, çdo fluturim, çdo minutë ka një mision: të mbrojmë jetën, banesat dhe natyrën.
Mirënjohje dhe respekt për çdo efektiv, pilot, zjarrfikës dhe pjesëtar të Forcave të Armatosura që, me profesionalizëm, guxim dhe përkushtim, ishin dhe vazhdojnë të jenë në vijën e parë të këtij operacioni”, shkruan ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi.