“Mund shkojmë deri në mosbindje civile” – Nis protesta e 65-të kundër qeverisë

3 August 2026, 20:36Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
“Mund shkojmë deri në mosbindje civile” – Nis
Protesta e 65-të kundër qeverisë

Ka nisur protesta e 65-të kundër qeverisë në Tiranë.

Qytetarët marshuan nga Sheshi “Skënderbej” drejt godinës së Kryeministrisë, duke kërkuar dorëheqjen e qeverisë dhe largimin e klasës politike aktuale.

Me pankarta, flamuj kombëtarë dhe thirrjet “Rama në burg, Berisha në burg”, protestuesit shprehën pakënaqësinë e tyre për situatën politike në vend.

Një nga protestuesit, vlerësoi frymën e bashkimit të qytetarëve për mbi dy muaj, duke nënvizuar se po japin shpresë. I moshuari tha se partia e tyre është Shqipëria e Re dhe se frika është vrarë përfundimisht.

“Është vrarë frika përfundimisht dhe tani njerëzit shprehen lirisht. Falënderoj të gjithë protestuesit që vijnë këtu dhe na japin shpresë, të rinj e pensionistë, për entuziazmin që po japin këtu në këtë shesh. Protestuesit e kanë krijuar partinë e tyre, Shqipëria e re”, tha ai.

Një tjetër protestues, paralajmëroi nga sheshi “Skënderbej” se këto protesta, të cilat kanë shpërthyer edhe në qytete të tjera, mund të përshkallëzohen deri në mosbindje civile.

“Kjo është qeveria e parë që njihet ndërkombëtarisht se fsheh në Shqipëri para të pista, jo vetëm të mafiozëve shqiptarë, por edhe të atyre të huaj. Dua që kjo protestë të zgjasë, pasi është maratonë, jo sprint. Kjo protestë mund të përshkallëzohet në mosbindje civile anembanë Shqipërisë”, tha ai.

Njw ditë më parë, një nga temat kryesore të protestës ishte reforma e re administrativo-territoriale e propozuar nga Partia Socialiste.

Protestuesit kundërshtuan planin për reduktimin e numrit të bashkive nga 61 në 46, duke argumentuar se ndryshimet do të çojnë në përqendrim të pushtetit vendor dhe dobësim të zonave rurale.

Sipas tyre, reforma rrezikon të thellojë shpopullimin dhe të largojë më tej vendimmarrjen nga qytetarët.


Video