Vasili: RTSH ka nevojë për modernizim, financimi i pamjaftueshëm pengon zhvillimin

5 June 2026, 14:16Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Vasili: RTSH ka nevojë për modernizim, financimi i pamjaftueshëm
Eni Vasili

Drejtoresha e Përgjithshme e Radio Televizionit Shqiptar, Eni Vasili, gjatë raportimit në Komisionin për Mjetet e Informimit Publik, vlerësoi punën e institucionit gjatë vitit 2025, duke theksuar se RTSH ka arritur të përmbushë misionin e tij si transmetues publik dhe të garantojë mbulimin e ngjarjeve më të rëndësishme në vend.

Në fjalën e saj, Vasili deklaroi se pavarësisht sfidave financiare dhe organizative, RTSH ka vijuar të ofrojë shërbim publik cilësor dhe të përmbushë detyrimet e tij ndaj qytetarëve.

“RTSH arriti të ruante funksionin e misionit publik. Gjatë vitit 2025 u realizuan mbi 3 500 orë prodhim televiziv, ndërsa u zhvilluan mbi 200 transmetime me studio lëvizëse, duke garantuar praninë e transmetuesit publik në ngjarje të rëndësishme në të gjithë vendin”, theksoi Vasili.

Drejtoresha e Përgjithshme tha se RTSH ka ofruar mbështetje të gjerë teknike dhe editoriale për një sërë aktivitetesh me rëndësi kombëtare dhe ndërkombëtare.

Më tej Vasili theksoi se RTSH ka arritur të reduktojë ndjeshëm nivelin e borxhit gjatë muajve të fundit.

“Nga 442 milionë lekë që ishte në datën 30 qershor 2025, në fund të muajit maj borxhi është ulur në 321 milionë lekë, ose 27% më pak. Ky ka qenë prioriteti ynë kryesor, përmes uljes së shpenzimeve dhe trajtimit me shumë rigorozitet të detyrimeve financiare. Këto masa kanë dhënë rezultatet e para konkrete në përmirësimin e situatës financiare të institucionit”, deklaroi Vasili.

Drejtoresha e Përgjithshme bëri me dije se gjatë vitit 2025 janë ndërmarrë një sërë reformash të brendshme.

“Gjatë vitit 2025 u morën masa për forcimin e qeverisjes së brendshme. U forcuan mekanizmat e kontrollit të brendshëm, u përmirësuan procedurat e planifikimit dhe monitorimit, si dhe u ndërmorën hapa konkretë për rritjen e transparencës dhe llogaridhënies institucionale”, u shpreh ajo.

Duke folur për ndryshimet organizative të ndërmarra në RTSH, Vasili theksoi se është realizuar një ristrukturim i pjesshëm i institucionit, me synimin për të qartësuar zinxhirin e përgjegjësive dhe për të përmirësuar koordinimin ndërmjet departamenteve.

“Është bërë një ristrukturim i pjesshëm, i cili kishte si synim riorganizimin e varësive të departamenteve që ndër vite ishin mbërthyer në një strukturë të fragmentuar dhe joefikase, ku shpeshherë mungonte qartësia e varësive dhe koordinimit ndërmjet njësive të ndryshme. Synimi ka qenë krijimi i një strukture më funksionale dhe më efektive në përmbushjen e objektivave të institucionit”, theksoi drejtoresha e Përgjithshme e RTSH-së.

Vasili bëri të ditur po ashtu se në bashkëpunim me EBU është realizuar një vlerësim i pavarur për gjendjen dhe perspektivën e transmetuesit publik shqiptar.

Vasili: RTSH ka nevojë për modernizim, financimi i pamjaftueshëm
Eni Vasili, gjatë raportimit në Komisionin për Mjetet e Informimit Publik

Sipas Vasilit, raporti evidentoi nevojën për një proces të strukturuar transformimi dhe formuloi një sërë strategjish për zhvillimin afatgjatë të RTSH-së.

Në kuadër të procesit të reformimit dhe modernizimit, gjatë periudhës tetor-dhjetor 2025, ekspertët e EBU-së analizuan situatën e institucionit dhe identifikuan reformat prioritare që duhen ndërmarrë në vitet e ardhshme.

“Në aspektin editorial dhe të besueshmërisë ndaj publikut, EBU vlerëson se RTSH gëzon ende besueshmëri dhe një rol të rëndësishëm në median publike, por thekson nevojën për forcimin e digjitalizimit, rritjen e përmbajtjes së orientuar drejt të rinjve dhe diasporës, si dhe përdorimin më të madh të të dhënave mbi audiencën në proceset vendimmarrëse editoriale dhe strategjike. Raporti ngre gjithashtu shqetësime lidhur me nevojën për modernizimin e mëtejshëm të medias publike, në mënyrë që ajo të përmbushë më mirë kërkesat e publikut dhe sfidat e mjedisit mediatik në ndryshim”, tha ajo.

Ndërsa kreu i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Fatjon Hoxhalli, gjatë raportimit vjetor të RTSH për vitin 2025, ka vënë theksin te procesi i digjitalizimit të arkivës, duke e cilësuar atë si një detyrim themelor publik për ruajtjen e memories audiovizive kombëtare.

“Digjitalizimin e arkivës e konsiderojmë si një detyrim themelor publik për ruajtjen e memories audiovizive kombëtare. Çdo vonesë rrit rrezikun e degradimit të pakthyeshëm të materialeve, të cilat gjenden në formate analoge. Ndonëse kemi argumentuar dhe kërkuar një fond të posaçëm prej 200 milionë lekësh, ky fond nuk u reflektua në alokimet buxhetore. Digjitalizimi i arkivës duhet të trajtohet si një projekt kombëtar me një rëndësi të veçantë dhe jo thjesht si një investim teknik i izoluar i institucionit tonë”, tha Hoxhalli.

Nënkryetari i Këshillit Drejtues të RTSH-së, Petrit Beci, deklaroi se situata në transmetuesin publik mbetet e ndërlikuar dhe e ndikuar nga një krizë e gjatë strukturore dhe financiare.

Sipas Becit, një nga faktorët që ka sjellë lëvizje pozitive në kufizimin e shpenzimeve dhe në marrëdhëniet me EBU lidhet me klimën e krijuar mes Këshillit Drejtues dhe drejtorisë së institucionit.

“Një nga arsyet që ka një lëvizje pozitive në kufizimin e shpenzimeve dhe në marrëdhëniet me EBU ka të bëjë edhe me klimën e krijuar mes Këshillit Drejtues dhe drejtorisë së institucionit, pasi ky ngërç e ka thelluar krizën që ka ky institucion, e cila ka mbi 10 vite që ka filluar. Ne konstatojmë problemin, por askush nuk jep zgjidhje. RTSH vetë nuk mund të japë zgjidhje përveçse të ulë shpenzimet deri në kufijtë e mundshëm. Në fund të vitit 2026, pritet të arrihet në limitin e mundshëm të uljes së shpenzimeve. E vetmja gjë që ka në dorë RTSH, sipas planit të EBU-së, është edhe një reduktim i numrit të punonjësve, i cili do të bëhet hap pas hapi. Vetë raporti i EBU-së është afatgjatë”, tha Beci.

Bashkëkryetarja e Komisionit për Mjetet e Informimit Publik, Iris Luarasi, pas dëgjesës së Drejtoreshës së Përgjithshme të RTSH-së mbi raportin vjetor të vitit 2025 të institucionit, deklaroi se reforma e nisur gjatë 2025 ka krijuar kornizën e nevojshme.

Ajo paraqiti një seri rekomandimesh për vitin 2026, duke theksuar nevojën për përmirësimin e efikasitetit, transparencës dhe qëndrueshmërisë financiare të transmetuesit publik.

Po ashtu, Luarasi kërkoi forcimin e pavarësisë institucionale dhe editoriale, duke përfshirë procedurat për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Drejtues.

“RTSH Kuvend duhet të ridimensionohet me një strukturë editoriale të qëndrueshme në funksion të konsultimit publik dhe edukimit qytetar mbi procesin legjislativ. Duhet të forcohet pavarësia institucionale dhe editoriale, përfshirë procedurat për përzgjedhjen e Këshillit Drejtues”, theksoi Luarasi.

Përsa i përket aspektit financiar, bashkëkryetarja rekomandoi rishikimin e modelit financiar të RTSH-së, përfshirë tarifën e aparatit televiziv dhe pjesën e mbajtur nga OSHEE, për të garantuar qëndrueshmëri afatgjatë të transmetuesit publik.


Video