Policia e Durrësit ka gjetur pistoletën me të cilën dyshohet se është vrarë nga vajza e tij, 50-vjeçari Pëllumb Meta.
Arma e krimit është gjetur e hedhur në kënetë, ashtu siç edhe kishte deklaruar 19-vjeçarja Hygerta Meta, e cila ditën e sotme tregoi gropën ku kishte varrosur të atin pasi e kishte qëlluar 4 herë me pistoletën e që ai mbante pa leje.
Krimi i rëndë, që u zbulua këtë të premte, sipas policisë mendohet se ka ndodhur ditë më parë, ndërsa trupi i 50-vjeçarit, Pëllumb Meta u gjet sot i varrosur në oborr, rreth 70 metra larg banesës.
Sipas dëshmisë që 19-vjeçarja dha në polici, ajo u shpreh e pa penduar që vrau të atin, pasi 50-vjeçari kërkonte ta martonte me mblesëri me një emigrant në Itali.
Megjithatë dyshimet janë se 19-vjeçarja, studente në Tiranë, mund të mos ketë vepruar e vetme, por të jetë ndihmuar nga familjarë të tjerë, të cilët tashmë janë marrë në pyetje.