Anëtari i "Bandës së Durrësit", Indrit Dokle dhe Fatjon Murati u shoqëruan mbrëmjen e sotme në Policinë e Tiranës.
Për Muratin është prerë fletë-arresti pasi ishte në kërkim nga uniformat blu, teksa Dokle, vetëm sa do të merret në pyetje. Ata janë kapur teksa po lëviznin së bashku me një makinë të blinduar.
Fatjon Murati ka qenë një ndër personat që është kërkuar nga Prokuroria Kurbin për t’u marrë në pyetje lidhur me masakrën me tre të vrarë në Fushë-Krujë, ku u vranë Brilant Martinaj Diklen Vata dhe Besmir Hoxha, për shkak të dyshimeve për të qenë si organizatorë të atentatit.
Nuk dihet nëse shpallja në kërkim ka lidhje të drejtpërdrejtë me ngjarjen e Fushë-Krujës.
Po për të njëjtën ngjarje është pyetur edhe Indrit Dokle i cili ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje dhe më pas është lënë i lirë. Gjithashtu, Dokle është marrë në pyetje dhe për zhdukjen misterioze të Ervis Martinajt.
Pritet një komunikatë zyrtare nga Policia për të mësuar arsyen e vërtetë të arrestimit të Fatjon Muratit.