Rusia i ka dërguar një kërkesë autoriteteve shqiptare ku i kërkon ekstradimin e 33-vjeçares Svetlana Timofoeva.
Ajo u arrestua në Uzinën Ushtarake të Gramshit më 20 Gusht, së bashku me rusin tjetër Mikhail Zori dhe ukrainasin Fedis Alpatov nën dyshimin se kishin ardhur me mision spiunazhi.
Kërkesa ka mbërritur në Prokurorinë e Elbasanit rreth dy javë më parë, ku thuhet se Svetlana Timofoeva në vitin 2018 është përfshirë në vjedhjen e dokumenteve sekrete shtetërore, nga një institucion rus, për të cilin nuk jepen detaje të tjera. Pavarësisht se kjo vepër penale është kryer në vitin 2018, urdhër arresti për 33-vjeçaren është lëshuar vetëm disa ditë pas arrestimin në Shqipëri.
Burime bëjnë me dije se kërkesa e ekstradimit nuk është çuar zyrtarisht në gjykatë, pasi po verifikohet bazueshmëria në ligj dhe konventa.
Svetlana Timofoeva, Mikhail Zori dhe Fedis Alpatov, vijojnë të jenë në burg me masën, e dhënë nga gjykata e Elbasanit arrest me burg lënë në fuqi edhe nga Apeli Durrësit me 20 Shtator. Prokurori i Elbasanit Kreshnik Ajazi ngriti akuzat për veprat penale, “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim .
Deri më sot, Svetlana Timofoeva ka mohuar akuzat për spiunazh, por ptendon se është një blogere. Ajo mbahet në burgun e grave të Tiranë por për një periudhë tre mujore ajo ka qëndruar në spitalin e burgut, nga ku kohën e ka shfrytëzuar të mësoje edhe shqip.