Një turist dyshohet se ka humbur jetën teksa eksploronte “Majën e grykave të hapura” në Valbonë. Ka qenë një turiste serbe e cila ka lajmëruar policinë e Tropojës duke u shprehur se shtetasi G.S. ka ndërruar jetë si pasojë e një infarkti.
"Gjatë paradites, Salla Operative e Tropojës ka marrë njoftim nga një turiste serbe, se në vendin e quajtur “Maja e grykave të hapura”, Valbonë, duke eksploruar zonën me një grup turistësh, njëri prej tyre, shtetasi G. S., kishte ndërruar jetë, dyshohet si pasojë e infarktit." thuhet në njoftimin e policisë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës, janë nisur drejt adresës së dhënë.
Policia bën me dije se për shkak të terrenit të thepisur, nuk është e mundur ulja e helikopterit dhe në ndihmë të shërbimeve të Policisë Tropojë janë nisur edhe Forcat e kërkim-shpëtimit të Kosovës, për të bërë të mundur nxjerrjen e turistëve, nga vendi ku janë bllokuar.