Transportonte emigrantë të paligjshëm dhe rrezikoi jetën policëve, në pranga shoferi i "BMW”

10 April 2022, 16:29Aktualitet SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Transportonte emigrantë të paligjshëm dhe rrezikoi jetën

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Sektorin e Policisë Rrugore në DVP Gjirokastër dhe Komisariatin e Policisë Tepelenë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, në bazë të informacioneve policore, kanë finalizuar me sukses operacionin policor "ROAD GUARD 13".

Në aksin rrugor Gjirokastër-Tepelenë, shërbimet e policisë në bazë të informacioneve të grumbulluara, i kanë bërë shenjë ndalimi automjetit tip "BMW" me drejtues shtetasin Indrit Toluli, i cili nuk i është bindur urdhrit për të ndaluar por u largua me shpejtësi duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë.

Pas disa minuta ndjekjeje në vendin e quajtur "Kryqëzimi poshtë Kalasë" Tepelenë, shërbimet e policisë kanë kapur shtetasin Indrit Toluli, i cili pasi kishte dalë nga rruga me mjet, e kishte braktisur atë dhe tentoi të largohej por është vënë në pranga nga shërbimet e policisë.

Gjatë kontrollit në brendësi të automjetit shërbimet e policisë kanë konstatuar 5 emigrantë të paligjshëm nga vendet MENA, të cilët ky shtetas po i transportonte kundrejt fitimit. 

Në vijim të operacionit pas hetimeve paraprake të kryera nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Gjirokastër në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër, është bërë i mundur identifikimi i organizatorit të këtij rasti, ku falë bashkëpunimit me komisariatin e Policisë Nr. 5 Tiranë u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit Ermario Tahiri, 21 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë (organizator i kësaj veprimtarie kriminale).

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një automjet dhe dy aparate celularë.

Materialet në ngarkim të shtetasve të mësipërm i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale "Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit" e kryer në bashkëpunim, "Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor", "Drejtim i automjetit në mënyrë të parregullt" dhe "Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik".


Video